OP-ED Analiza

Manipulim apo keqinterpretim? Si u kthye deklarata e Erion Braçes në “ultimatum” ndaj Edi Ramës

Në disa portale u raportua sot sikur deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe i kishte vendosur ultimatum kryeministrit Edi Rama për kandidimin në Bashkinë e Tiranës. Sipas këtyre ‘lajmeve’, nëse nuk do të zgjidhej nga PS, Braçe do të kandidonte më vete.

Por në realitet, kjo është një tjetër histori e deformuar nga interpretimi i qëllimshëm, ndoshta, i një deklarate në mbledhjen e Asamblesë së Njësisë 5, të Tiranës, me dyer të mbyllura.

Megjithatë, Shqip.com nga burime zyrtare pranë këtij takimi, mëson se ajo që Braçe ka artikuluar nuk ka qenë një kërcënim politik dhe as një sfidë ndaj drejtimit të partisë. Përkundrazi, ai është shprehur se është i gatshëm të kandidojë për Tiranën nëse është e nevojshme, duke e lidhur këtë me një shqetësim konkret: bllokimin e punëve në kryeqytet, pasi nuk ka kryetarin në drejtim.

Në asnjë moment, Braçe nuk është shprehur se do të kandidojë i pavarur nëse PS nuk e shpall kandidat zyrtar. Shqetësimi i ngritur prej tij ka qenë për fatin e qytetit dhe banorëve të tij.

Prej më shumë se një viti, Bashkia e Tiranës ndodhet në një situatë të pazakontë, pas arrestimit të ish-kryebashkiakut Erion Veliaj, duke krijuar një vakum drejtimi që, sipas Braçes, po reflektohet në ecurinë e projekteve dhe administrimin e qytetit. Pikërisht në këtë kontekst, deklarata e tij duhet lexuar si një gatishmëri për të marrë përgjegjësi, dhe jo si një ultimatum politik.

Transformimi i kësaj deklarate në një “përplasje” me Ramën tregon më shumë për mënyrën se si funksionon një pjesë e mediave sot, sesa për realitetin politik brenda PS-së. Nga një qëndrim i kushtëzuar dhe institucional, u prodhua një titull konfliktual, i ndërtuar për klikime dhe jo për informim.

Ky është një rast tipik i asaj që mund të quhet “fake news i paketuar”, jo një shpikje nga zero, por një deformim i qëllimshëm i fjalës, duke i ndryshuar thelbin për të krijuar tension artificial.

Në fund, pyetja që mbetet nuk është nëse Braçe i vuri ultimatum Ramës, sepse nuk e bëri, por sa shpesh opinioni publik ushqehet me interpretime që i largohen qëllimit real të deklaratave politike.

/Shqip.com