23 maji, Berisha dhe fundi i PD-së
Këtë të shtunë, 23 maj, Sali Berisha pritet të votëbesohet sërish në krye të PD. Një proces pa garë reale, pa rivalë dhe pa asnjë alternativë të vërtetë për drejtimin e forcës më të madhe opozitare në vend. Ish-deputetit Ervin Salianji iu mohua kandidimi pa një arsye të fortë dhe konkrete. Kandidimi iu mohua edhe Alesia Balliut, një protagoniste e PD-së, anëtare e Kryesisë së FRPD, aktiviste e njohur dhe dikur mbështetëse e flaktë e Sali Berishës. Evi Kokalari, Vladimir Mulaj e Mereme Sela, gjithashtu u lanë jashtë garës me urdhër direkt të Sali Berishës.
Ervin Salianji dikur konsiderohej nga lideri demokrat si i “burgosur politik”, pasi ish-deputeti vuajti 1 vit burg për “kallëzim të rremë publik”, në rastin e denoncimit të vëllait të ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, se trafikonte drogë drejt Italisë.
Por, pasi Salianji nisi lëvizjen brenda PD, Sali Berisha u hodh në sulm dhe e quajti të “birësuar” nga Edi Rama. E akuzoi edhe si të shitur e të blerë, por edhe të lidhur me krimin. Akuza të cilat nuk u provuan asnjëherë. Një retorikë e tillë e Sali Berishës është e njohur botërisht. Ai për pushtetin personal nuk kursen jo vetëm kundërshtarët politikë, por as të tijët. Njësoj bëri edhe me Lulzim Bashën, duke mos i lënë gjë nga verbi i tij politik nga ‘peng’, i shitur, i blerë, ‘levë’ e Edi Ramës, i “kapur” nga ndërkombëtarët, amerikanët apo edhe… UFO-t. Në të kaluarën ka sulmuar me të njëjtën “artileri shpifjesh” Eduard Selamin, duke vijuar me radhë me Azem Hajdarin, Gramoz Pashkon, Arben Imamin, Spartak Ngjelën, Bamir Topin, Gazment Oketën, Astrit Patozin e plot të tjerë. Të gjithë këta janë shpallur armiq nga Sali Berisha vetëm se mendonin ndryshe nga ai.
E në listën e gjatë të armiqve të Sali Berishës brenda PD nuk mund të mungonte as Ervin Salianji. Faji i vetëm i këtij të fundit është se shprehu hapur ambicien e tij për të marrë drejtimin e demokratëve me qëllim nxjerrjen e tyre nga agonia 13-vjeçare dhe shndërrimi i opozitës në alternativë reale përballë pushtetit të tejkonsumuar të Edi Ramës.
Kjo që pritet të ndodhë këtë 23 maj, në pamje të parë duket si një formalitet partiak. Në thelb, mund të jetë epilogu i një historie 35-vjeçare politike, fatkeqësisht të PD-së bashkë me Sali Berishën.
PD-ja që dikur lindi si simbol i rrëzimit të komunizmit, sot duket një forcë e mbyllur brenda vetes, e konsumuar nga përçarja, humbjet dhe mungesa e një vizioni të ri. Prej vitit 2013 ajo nuk ka arritur të rikthehet në pushtet, ka humbur çdo palë zgjedhje, ndërsa çdo krizë e brendshme vetëm sa e ka tkurrur më tej politikisht dhe elektoralisht.
Ironia më e madhe qëndron te fakti se partia që erdhi si frymë ndryshimi në vitin 1990, vazhdon edhe në vitin 2026 të drejtohet nga i njëjti personazh historik. Berisha, sot 83 vjeç, mbetet sërish në krye të PD-së, por jo më si lideri energjik i viteve ’90 apo si politikani dominues i viteve 2005-2013. Ai rikthehet në krye të një opozite të lodhur, të fragmentuar dhe pa një projekt të qartë politik për të ardhmen.
Në vend të aksionit opozitar, lëvizjet më konkrete të ditëve të fundit kanë qenë votat e bashkuara me mazhorancën në Kuvend, fillimisht për rezolutën e integrimit europian dhe më pas për ndryshimet në rregulloren e Kuvendit të enjten. Dy episode që tregojnë jo forcimin e opozitës, kurrsesi, por zbehjen e kufijve politikë mes saj dhe pushtetit. Po flitet deri aty sa ka dyshime të forta për një pakt në heshtje mes Edi Ramës dhe Sali Berishës, njëri mban pushtetin, tjetri “çimentohet” në krye të PD, të asaj PD-je që po atrofizohet ditë pas dite.
Megjithatë, rizgjedhja e Berishës nuk duket se mbyll krizën e PD-së. Përkundrazi, ajo rrezikon ta thellojë edhe më shumë përçarjen, duke e shtyrë partinë drejt një modeli mbijetese politike, të ngjashëm me fatin që pati forca e drejtuar nga Ilir Meta. Një parti e e cila nuk ka më aftësinë për të prodhuar të ardhme.
Ndoshta për herë të parë që nga themelimi i saj, pyetja për Partia Demokratike nuk është më nëse mund të rikthehet në pushtet. Pikëpyetja reale lidhet me vetë mbijetesën e saj politike. Pas 13 vitesh në opozitë, krizash të vazhdueshme, përçarjesh dhe humbjesh elektorale, PD-ja hyn në një fazë ku sfida nuk duket më rotacioni politik, por ekzistenca si forcë reale opozitare.
Zgjedhjet vendore të vitit të ardhshëm dhe ato parlamentare të 2029 mund të kthehen në testin më të rëndë në historinë e saj. Jo thjesht për të matur forcën elektorale, por për të kuptuar nëse kjo parti do të arrijë të mbetet një pol i rëndësishëm politik apo do të vijojë rrëshqitjen drejt tkurrjes dhe marginalizimit.
@Shqip.com