Lajme

Kastrati i fut “kokën në thes” PD-së/ Flamur Noka: Nuk i mbështesim protestat, i organizon rrjeti i Soros!

Partia Demokratike ka konfirmuar edhe një herë qëndrimin e saj kundër protestave që po zhvillohen prej katër ditësh kundër projektit turistik në Zvërnec. Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka, ka sulmuar ashpër organizatorët dhe pjesëmarrësit e protestës, duke i cilësuar ata si të lidhur me rrjetin e George Soros dhe të angazhuar në një betejë politike kundër presidentit amerikan Donald Trump.

Përmes një reagimi, Noka pretendon se shqetësimi i protestuesve nuk lidhet me mbrojtjen e mjedisit apo të ekosistemit të zonës së Zvërnecit, por me interesa politike që, sipas tij, kanë në shënjestër familjen Trump dhe investimin e planifikuar në jug të vendit.

“Mercenarët e Sorosit e kanë me familjen Trump, se për flamingot nuk ua ndjen fare. Flamingot, florën dhe faunën e asaj zone i ka dëmtuar Aeroporti i Vlorës, por organizatat që sot protestojnë nuk reaguan kurrë”, deklaron Noka.

Numri dy i demokratëve shkon edhe më tej, duke pretenduar se pas protestave qëndrojnë individë të afërt me qeverinë. Ai përmend faktin se bashkëshorti i një ministreje të kabinetit qeveritar është mes organizatorëve të protestës, duke e interpretuar këtë si provë se lëvizja po përdoret politikisht.

Në reagimin e tij, Noka akuzon gjithashtu organizata të shoqërisë civile dhe mbrojtës të të drejtave të njeriut për standarde të dyfishta. Ai sjell në vëmendje raste të ndryshme që kanë tronditur opinionin publik gjatë viteve të fundit, duke pretenduar se për to nuk ka pasur reagim të mjaftueshëm nga organizatat që sot janë aktive në kundërshtimin e projektit të Zvërnecit.

Deklarata e Nokës vjen në një moment kur protestat kundër projektit turistik po marrin përmasa gjithnjë e më të mëdha. Qytetarë, aktivistë mjedisorë dhe organizata të ndryshme kanë dalë për katër ditë radhazi në rrugë duke kërkuar anulimin e investimit, të cilin e konsiderojnë një kërcënim për një nga zonat më të rëndësishme natyrore të vendit.

/Shqip.com