Lajme

Von Cramon: Hetimi i shpejtë i sulmit në Deçan është i domosdoshëm

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon
Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon, tha se hetimi i shpejtë dhe vënia para drejtësisë e kryesit të vrasjes së tre personave në Gllogjan të Deçanit të premten, është i domosdoshëm, transmeton Shqip.com.

Përmes një postimi në Twitter, Von Cramon, u ka shprehur ngushëllime popullit të Kosovës për humbjen e tre jetëve në këtë sulm.

Vrasja në Deçan.

“Ngushëllimet e mia të thella popullit të Kosovës për humbjen tragjike të 3 jetëve në sulmin monstruoz të djeshëm në Gllogjan. Zemra ime shkon për të gjithë ata që janë në zi, ndërsa të lënduarve u uroj shërim të shpejtë. Hetimi i shpejtë dhe vënia para drejtësisë e sulmuesit është një domosdoshmëri”, shkroi ajo.

Mbrëmjen e së premtes në fshatin Gllogjan të Deçanit, një person ka shtënë me armë zjarri drejt një autobusi, ku kanë mbetur të vdekur shoferi dhe dy nxënës, kurse një tjetër është plagosur.

Lexo edhe:
Policia për vrasjen në Deçan: Dyshohet se është kryer me kallashnikov

Gjendja shëndetësore e nxënësit i cili mbet i plagosur është stabile. I njëjti është operuar gjatë natës në Spitalin e Pejës, ku i është larguar një plumb nga trupi.

Sipas Policisë së Kosovës, dyshohet që vrasja është kryer me kallashnikov “AK-47”, teksa rasti është duke u hetuar si “vrasje e rëndë”.

Kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj, u ka bërë thirrje qytetarëve që nëse kanë ndonjë informacion rreth këtij rasti të bashkëpunojnë me institucionet relevante./SHQIP.com