Lajme

Vendimi për deklarimin e pasurisë nga profesorët po konsiderohet “selektiv” dhe “diskriminues”

Ilustrim

Vendimi i Qeverisë së Kosovës që në listën e zyrtarëve publikë të cilët deklarojnë prejardhjen e pasurisë të hyjnë edhe profesorët e universiteteve publike, po konsiderohet si “selektiv” dhe “diskriminues”.

Projektligjin për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë dhe të Dhuratave, kryeministri Albin Kurti tha se e miratuan “si përgjigje ndaj historisë me korrupsion në vendin tonë, kur zyrtarë të shumtë janë pasuruar në mënyrë të pajustifikuar e të paligjshme”.

Megjithatë, një vendim i tillë, sipas Arben Fetoshit, profesor në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, nuk është vetvetiu garanci për parandalimin efektiv të korrupsionit.

Ai thotë se lajmi për përfshirjen e profesorëve të universiteteve publike në listën e zyrtarëve që duhet të deklarojnë pasurinë në Agjencinë Kundër Korrupsionit, nuk duhet të lexohet me nëntekstin sikur u gjet fajtori.

“Pajtohem në parim dhe mendoj se përfshirja sa më e gjerë e sektorëve publik në obligimin për deklarim të pasurisë e rrit mundësinë e transparencës dhe kontrollit, por jam kundër qasjes selektive dhe diskriminuese”, deklaron Fetoshi për Shqip.com.

“Në praktikat e Shteteve Anëtare të Bashkimit Evropian ky obligim përfshin zyrtarët publike që kanë autorizime ekzekutive dhe anëtarët e familjeve të tyre, prandaj kam dronë se zgjerimi i bazës së pozitave të përfshira me ligj nuk është vetvetiu garanci për parandalimin efektiv të korrupsionit”.

Profesor Fetoshi thotë se nuk është kundër këtij vendimi, por shton se qeveria duhet të fokusohet në masa më rigoroze të kontrollit te prokurimi dhe zyrtarët që kanë pushtet ekzekutiv në institucionet publike.

Arben Fetoshi, profesor në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”

I të njëjtit mendim është edhe Rrahman Jasharaj – kryetar i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës.

Sipas Jasharajt, obligimi për deklarim të pasurisë do të duhej të bëhej për të gjithë punëtorët e arsimit – pa dallime – duke filluar nga ata të çerdheve.

“Qeveria ka shumë punë të tjera pa kryer dhe është mirë që këtë obligim ta bëjë për të gjithë punëtorët e sektorit të arsimit – duke filluar nga çerdhet”.

“Besoj se qeveria do të ndihet e skuqur duke parë që shumica e personelit arsimor në nivelin parauniversitar janë futur nëpër kredi”, tha ai në një prononcim për Shqip.com.

Marrë parasysh përplasjet mes Kurtit dhe sindikatave, Jasharaj tha se vendimi është dashur të shtyhet sepse “krijohet bindja që qëllimi është për t’ua mbyllur gojën këtyre sindikatave”.

“Nëse Kurti e ka këtë qëllim, e ka të kotë”.

Sa i përket deklaratave të zyrtarëve të Qeverisë se me këtë projektligj “përmbyllet pako anti-korrupsion”, Jasharaj tha se “punëtorët e arsimit nuk mund të jenë të korruptuar”.

“Ata i mësojnë fëmijët dhe japin nota për t’i stimuluar. Në universitete pagat janë më të larta, por kjo nuk nënkupton që janë të korruptuar. Nuk ka mundësi të korruptohen sepse nuk janë në arkën e shtetit, por marrin paga që vetë shteti ua cakton”.

“Profesorët janë pak më të pasur sepse pagat i kanë më të larta dhe disa prej tyre punojnë në 2-3 vende, por pasurinë e kanë fituar me djersë”, përfundoi kryetari i SBAShK-ut.

Rrahman Jasharaj, kryetar i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës

Bashkë me profesorët, në listë për deklarim të pasurisë janë shtuar edhe mjekët e licencuar.

Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu, e ka përshëndetur këtë vendim, ndërsa ka thënë se do të insistojnë që të gjithë pa përjashtim të deklarojnë pasurinë.

“Nuk dua të kuptoj që kjo është e drejtuar kundër mjekëve, ose se mjekët dhe profesorët janë ata që janë të dyshuar ose të piketuar, por gjithsesi ne do të insistojmë që të gjithë pa përjashtim të deklarojnë pasurinë”, ka thënë Sejdiu për Klan Kosovën.

Tutje, ka shtuar se janë pro asaj që të bëhet ligji, por që të vlejë për të gjithë dhe të mos jetë diskriminues.

Pleurat Sejdiu, kryetar i Odës së Mjekëve të Kosovës

Deklarimi i pasurisë nga personat publikë në Kosovë ka filluar qysh në vitin 2007.

Deri më tash, duke mos përfshirë mjekët dhe profesorët, deklarimin e pasurisë në Kosovë e kanë bërë rreth 5 mijë zyrtarë publikë, nisur nga presidentja, kryeministri, ministrat, deputetët, kryetarët e komunave e deri te mijëra zyrtarë të tjerë që kanë pozita udhëheqëse./SHQIP.com