Lajme

Vendimi për deklarimin e pasurisë, Kurti: Është përgjigje ndaj historisë me korrupsion

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi të premten se miratimi i projektligjit për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë dhe të Dhuratave, është bërë si përgjigje ndaj “historisë me korrupsion në vendin tonë”.

Sipas tij, zyrtarë të shumtë janë pasuruar në mënyrë të pajustifikuar e të paligjshme.

Kurti ka folur edhe për vendimet tjera që janë miratuar në mbledhjen e 47-të të Qeverisë së Kosovës.

Në Ditën Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, ka thënë se kanë themeluar Grupin Koordinues Ndërinstitucional për të Drejtat e Njeriut, për ruajtjen, garantimin dhe promovimin e të drejtave të të gjithë qytetarëve të Kosovës.

“E në përmbyllje të fushatës 16 Ditë të aktivizmit kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave, në zbatim të Programit për kompensim të viktimave të krimit, miratuam Projektligjin për Kompensimin e Viktimave të Krimit, nga i cili do të përfitojnë edhe viktimat e dhunës në familje”.

“Në këtë mbledhje të 47-të të Qeverisë e Republikës së Kosovës miratuam edhe marrëveshjen për përmirësimin e efikasitetit të sistemit të asistencës sociale”, ka shkruar shefi i qeverisë në Facebook.

Kurti po ashtu ka bërë të ditur se kanë bërë kufizimin e përmbarimit në të hyrat nga pakot emergjente apo masat specifike të miratuara nga Qeveria, për rrethana të jashtëzakonshme apo emergjente, siç janë pandemitë apo fatkeqësitë natyrore, në të ardhurat për pensionin deri në pjesën që e tejkalon shumën e pagës minimale, si dhe të ardhurat në bazë të shtesave për fëmijë.

May be an image of 12 people, indoor and office
Mbledhja e Qeverisë së Kosovës

“Emëruam Sekretarinë e Komisionit Qeveritar për njohjen e statusit të ish të dënuarve dhe ish të përndjekurve politikë, që ky komision të jetë i plotë dhe funksional”.

“Shërbimet nga fusha e mjekësisë ligjore do të mbulohen në mënyrë institucionale, duke eliminuar praktikën e dëmshme të kompensimit për kryerjen e ekzaminimeve mjeko-ligjore pa bazë ligjore, e cila e ka dëmtuar buxhetin e institucioneve të drejtësisë, në shumën afër 840 mijë euro”.

“Funksionimi sa më i mirë i komunave, shërbime më të mira dhe jetë më cilësore për qytetarët tanë në gjithë Kosovën, është qëllimi i projektligjit për Vetëqeverisjen Lokale që miratuam sot”.

“Hapëm rrugën për më shumë fonde dhe projekte për Komunat e Kosovës me miratimin e projektligjit që institucionalizon skemën e grantit të performancës dhe ofron pavarësi nga çfarëdo ndikimi politik”.

“Rritje të bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën kërkimore-hulumtuese dhe të inovacionit me programin “Horizon Europe”, si dhe rritje të bashkëpunimit artistik dhe kulturor në nivel evropian nëpërmjet programit Evropa Kreative. Për rritjen e cilësisë në arsim, miratuam Projektligjin për Agjencinë e Kosovës për Akreditim”.

“I shpallëm me interes të veçantë publik pronat e paluajtshme në Aeroportin e Gjakovës të cilat do të jenë të nevojshme për realizimin e projekteve të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës”.