Lajme

Urdhërarresti ndaj Radoiçiqit “është ende në fuqi”

Policia e Kosovës duhet ta arrestojnë nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radoiçiq, nëse ai gjendet në territorin e Kosovës.

Kështu thotë për Radion Evropa e Lirë, prokurori i Prokurorisë Themelore të Ferizajt, Rasim Maloku, teksa konfirmon se urdhërarresti ndaj Radoiçiqit lidhur me rastin “Brezovica” është ende në fuqi.

Por, Maloku shpreh dyshime për kohën kur është realizuar kjo video.

“Autoritetet duhet ta arrestojnë atë. Ai normalisht ka mund të vijë ta bëjë një postim dhe të dalë [nga territori i Kosovës] ose të ketë një incizim të mëhershëm dhe ta lëshojë dhe të krijojë ndonjë ndjenjë te serbët për qëllime politike. Unë as që e besoj që ka qenë [në Kosovë], por megjithatë ajo i takon rrugëve të Qeverisë që të verifikojë ato të dhëna”, thotë Maloku.

Prokurori i Prokurorisë Themelore të Ferizajt, Rasim Maloku

Radoiçiq i është drejtuar publikut përmes një video-mesazhi nga rrethina e Leposaviqit që është një nga katër komunat në veri të Kosovës e banuar me shumicë serbe.

Lexo edhe:
Dyshohet se Radojiçiq ka hyrë në Kosovë: Kam ardhur, nuk do të kthehem më

Në këtë video, ai tha se “terrori mbi popullatën serbe ka nisur”.

“Popullit tim në veri dhe të gjithë serbëve dua vetëm t’iu them, por edhe atyre të tjerëve, këtu jam, jam kthyer, dhe ju e dini se çfarë do të thotë kjo. Sepse nga këtu nuk ka kthim, rroftë Serbia”, shtoi Radoiçiq.

Për këtë çështje, anëtari i Komisionit për Siguri, Rashit Qalaj si porosi drejtuar Policisë së Kosovës ka thënë se Policia obligohet ta arrestoj Radoiçiqin.

Lexo edhe:
Qalaj: Mesazhi i Radojçiq është thirrje për Policinë për ta arrestuar dhe paralajmërim për tensione në veri

“Nëse ai është në Kosovë, është obligim i Policisë që ta arrestoj sepse me aq sa di unë, Radojçiq është në kërkim dhe besoj që PK-ja do të siguroj informatat inteligjente rreth vendqëndrimit të tij”, u shpreh më tej për Shqip.com, ish-drejtori i Përgjithshëm i PK-së Rashit Qalaj.

Shqip.com ka pyetur Policinë e Kosovës nëse kanë informacione se Radoiçiq gjendet në Kosovë dhe nëse janë duke ndërmarrë ndonjë veprim për këtë çështje, por, të njëjtit nuk kanë kthyer përgjgije, ende.

Kush është Milan Radoiçiq?

Milan Radoiçiqit është nënkryetar i Listës Serbe. Kjo parti ka numëron dhjetë deputetë në Kuvendin e Kosovës.

Radoiçiq ka pasur një fletëarrest nën dyshimet se kishte qenë i përfshirë në vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq.

Megjithatë, ai urdhërarrest ishte tërhequr pa shpjegim në mars të vitit 2021.

Radoiçiq është edhe në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara nën dyshimet se së bashku me biznesmenin nga veriu i Kosovës, Zvonko Veselinoviq dhe dhjetëra serbë të tjerë, i përkasin një rrjeti të lidhur me krimin e organizuar ndërkombëtar.

Theksojmë se në takimin e mbajtur më 22 mars nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Sigurisë, krah tij u pa edhe i kërkuari nga institucionet e drejtësisë në Kosovë për korrupsion, Millan Radojçiq.

Radojçiq ishte arratisur Policisë së Kosovës në pikën kufitare mes Kosovës dhe Serbisë në Bërnjak.

Policia kishte thënë se arratisja e tij ka ndodhur gjersa zyrtarët policorë ishin duke e verifikuar.

“Një i dyshuar mashkull/Serb (në hyrje në Kosovë), gjersa zyrtarët policor ishin duke e verifikuar, i njëjti me veturë është larguar mbrapa në drejtim të Serbisë. Bazuar në verifikimin e kryer i dyshuari është i kërkuar në bazë të urdhër arrestit të lëshuar nga gjykata”, thuhej në raportin 24 orësh të Policisë./Shqip.com