Lajme

Qalaj: Mesazhi i Radojçiq është thirrje për Policinë për ta arrestuar dhe paralajmërim për tensione në veri

Ish-drejtori i Policisë, Rashit Qalaj.
Ish-drejtori i Policisë, Rashit Qalaj.

Video-mesazhi i publikuar nga kreu i grupit kriminal serb, njëherësh nënkryetar i Listës Serbe, Milan Radojçiq  po cilësohet nga anëtari i Komisionit për Siguri, Rashit Qalaj si porosi drejtuar Policisë së Kosovës.

Ish-drejtori i Përgjithshëm i PK-së, Rashit Qalaj tha për SHQIP.com se Radojçiq përmes porosisë së tij i ka bërë thirrje Policisë që ta arrestojnë, pasi i njëjti është në kërkim.

“Mesazhi ishte nga Radojçiq se unë jam këtu ejani nëse guxoni të më arrestoni”, tha deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës.

Përveç kësaj, Qalaj mendon se Radojçiq ka paralajmëruar se do të ketë tensione në veri të vendit.

“Ishte një mesazh që paralajmëron, sipas meje, probleme të mundshme në veri dhe nëse me të vërtetë ai qëndron edhe në Kosovë, ai e ka mbështetjen edhe të shtetit serb”, tha ai.

Mbrëmjen e 5 korrikut, media “Alo” ka publikuar një video-mesazh nga Radojçiq ku pretendohet se është regjistruar brenda territorit të Kosovës.

Lexo edhe:
Dyshohet se Radojiçiq ka hyrë në Kosovë: Kam ardhur, nuk do të kthehem më

E për këtë gjë, Qalaj thotë se Policia obligohet që ta arrestojë nënkryetarin e Listës Serbe.

“Nëse ai është në Kosovë, është obligim i Policisë që ta arrestoj sepse me aq sa di unë, Radojçiq është në kërkim dhe besoj që PK-ja do të siguroj informatat inteligjente rreth vendqëndrimit të tij”, u shpreh më tej deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj.

Milan Radojçiq

Radojçiq që është i sanksionuar nga Thesari amerikan (OFAC), për aktivitetin e tij kriminal në veri të Kosovës.

Ai është njëri nga të dyshuarit e kërkuarit nga drejtësia për vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq.

Theksojmë se në takimin e mbajtur më 22 mars nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Sigurisë, krah tij u pa edhe i kërkuari nga institucionet e drejtësisë në Kosovë për korrupsion, Millan Radojçiq.

Radojçiq ishte arratisur Policisë së Kosovës në pikën kufitare mes Kosovës dhe Serbisë në Bërnjak.

Lexo edhe:
"U largua me shpejtësi në drejtim të Serbisë”, policia tregon si “u iku nga duart” Radojiçiqi

Policia kishte thënë se arratisja e tij ka ndodhur gjersa zyrtarët policorë ishin duke e verifikuar.

“Një i dyshuar mashkull/Serb (në hyrje në Kosovë), gjersa zyrtarët policor ishin duke e verifikuar, i njëjti me veturë është larguar mbrapa në drejtim të Serbisë. Bazuar në verifikimin e kryer i dyshuari është i kërkuar në bazë të urdhër arrestit të lëshuar nga gjykata”, thuhej në raportin 24 orësh të Policisë./Shqip.com