OP-ED Kolumne

Të gjithë i bëjnë presion Albin Kurtit për Asociacionin, e asnjërit nuk i intereson se çfarë përfiton Kosova!

Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe
Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe
Xhevdet Pozhari
Xhevdet Pozhari

Publikuar:

Së shpejti, me ndërmjetësimin ndërkombëtarë, do të ndodh takimi midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Këto takime do të duhej të ishin të zakonshme, të përmuajshme, mirëpo situata e prodhuar në veri me zbatimin e vendimit për targat prodhoi efektin të cilin të gjithë e dinë, por nuk e thonë: tendencën e Serbisë për ta destabilizuar Kosovën duke bllokuar veriun me kamionë dhe largimin e serbëve nga institucionet e Kosovës.

Përmes këtij veprimi, Qeveria e Kosovës testoi seriozitetin e palës me të cilën negocionte. Vendosi të vinte në zbatim një prej marrëveshjeve të shumta të nënshkruara ndër vite për të rikonfirmuar “konstruktivitetin” e palës tjetër.

Reagimi, siç edhe mund të paramendohej, ishte saktësisht e kundërta – destruktiviteti i njohur tashmë i atyre që janë të interesuar për zbatimin e vetëm njërës prej marrëveshjeve, themelimin e asaj që njihet edhe si Zajednica.

Ndërhyrja ndërkombëtare do ta zgjidhte këtë ngërç. Por, presioni do të binte çuditërisht veç mbi palën kosovare. Më shumë do të dëgjoheshin klithmat dhe kërcënimet e Vuçiqit sesa e drejta e Kosovës për të vendosur rend dhe ligj në pjesën e veriut të vendit.

Me tone të ashpra, Kurti do të gjykohej rëndë nëpër studiot televizive të cilat interpretonin zellshëm zërin e ndërmjetësuesve ndërkombëtarë. “Gabimi” i tij ishte i “pafalshëm”- Pse veproi si një kryeministër që duhet të ndërmerr veprime të ligjshme, siç do të vepronte cilido kryeministër në një shtet normal.

Por, në një shtet kur gjithçka thuajse është zhvendosur, të kërkosh veprime standarde të një burrështetasi me gjasë është abnormalitet! Ndër vite është instaluar vetëdija se për gjithçka që të kërkohet duhesh të thuash “PO” dhe të mos e vësh në diskutim asgjë që determinon të ardhmen e shtëpisë tënde. Pra, të sillesh si një qiragji i përkohshëm, e jo si zot shtëpie.

Për bllokimin e procesit të dialogut, sulmet u drejtuan drejt kryeministrit Albin Kurti. Shkuan aq larg, sa thanë këtë e bën vetëm për mos ta themeluar Asociacionin e kërkuar. Madje, njerëz pa asnjë relevancë në opinionin publik, nisën presionin se Asociacioni duhet të themelohet sepse kështu kërkon Amerika.

Kaq ishte argumenti i atyre që as që ia kishin idenë se çfarë përfiton Kosova, e aq më keq, as që ju interesonte. Për më tepër, mundoheshin që dëmin e themelimit të një Asociacioni eventual ta minimizonin deri në atë përmasë sa veç sa nuk thoshin se “ky është një nderë që Serbia ia bën Kosovës”.

Pra, të tillët, me ose pavetëdije, kishin rënë në kurthin e kërkesës së Vuçiqit – ai këmbëngul në themelimin e Asociacionit vetëm me kushtin që mos të arrihet asnjë marrëveshje. Madje, egërsisht kërkon që mos t’i përmendet e kaluara që e vë në pozitën e kriminelit karshi palës negociuese.

Edhe këtë kërkesë të tij ia plotësojnë me zell këmbëngulësit shqiptar për themelimin e Asociacionit- nuk duhet të flasim për të kaluarën, duhet të ecim përpara – deklaronin ata që kanë harruar se baza e të sotmes qëndron mbi themelet e së kaluarës, ndërsa e ardhmja është veç një paramendim që kryesisht varet nga veprimet të cilat i bën sot dhe tani.

Kryeministri Albin Kurti sot ka vendosur që të jetë konstruktiv në dialog, në tavolinën e bisedimeve të ulet me barrën e koncesioneve që i janë bërë Serbisë ndër vite, pa kushte, por jo të shndërrohet edhe në një burrështetas “yesmen” më shumë. Njeri që do t’i thotë “Po” çdo kërkese, pa kushte. Kjo ngaqë Kurti e din se me të tillë Kosova është e mbushur dhe nëse ka marrë besimin në popullatë, është pse pritshmëritë janë saktësisht që ta bëjë të kundërtën- të pranoj marrëveshje veç nëse ato janë në dobi të vendit të tij.

E, përpos zhurmës shurdhuese ku kryeministrit Kurti i kërkohet të pranojë kërkesat e Serbisë, askush nuk e din se çfarë përfiton Kosova. Kjo ngaqë të tillët kanë harruar qëmoti se çfarë mund të bëjnë ata për vendin, por në vend të kësaj gjithmonë presin se çfarë do të bëjnë të tjerët për ne!

E, derisa të ndryshojë kjo praktikë Albin Kurti do të ketë shumë punë ngaqë përballë do të ketë jo vetëm Vuçiqin, por edhe gatishmërinë për koncesione të të gjithë atyre që hallin e vetëm e kanë pushtetin dhe qëmoti nuk ju intereson se çfarë përfiton Kosova, por se çfarë përfitojnë ata për vete!

/Shqip.com