Lajme

Të akuzuarës nga disa vende për spiunazh për Rusinë iu ndalua hyrja në Kosovë

Sot gjatë ditës së shtunë, në pikën kufitare në veri të Kosovës, është ndaluar Daria Aslamova ndaj të cilës shumë shtete kanë vertëtuar se ka qenë e angazhuar në spiunazh për Rusinë.

Këtë e ka bërë të ditur ministri i Ministrisë së Brendshme, Xhelal Sveçla përmes një postimi në Facebook, ku thuhet se nën petkun e gazetarës ajo ka marrë pjesë edhe në luftimet në Ukrainë duke propaganduar.

“Sot, në pikë kalimin kufitar në veri të vendit është ndaluar Daria Aslamova. Shumë shtete e kanë vërtetuar se ajo ka qenë e angazhuar në spiunazh për inteligjencën ushtarake ruse dhe se ka vepruar në petkun e gazetares. E njëjta ka marrë pjesë edhe në luftimet në Ukrainë duke propaganduar mbi pushtimin rus ndaj Ukrainës”, shkroi Sveçla.

Sveçla thotë se tentimi i Aslamovës për të hyrë në Kosovë përkon me zhvillimet në veri të vendit dhe dëshmon lidhjet me propagandën ruse.

“Theksojmë faktin se ajo tenton të hyjë në Republikën e Kosovës një javë pas tensioneve të shkaktuara nga strukturat kriminale në veri të vendit dhe në të njejtën ditë kur të njejtat struktura që orkestrohen nga Vuçiqi kanë shtënë rreth 10 herë drejt zyrtarëve tanë policor. Tentimi i saj për të hyrë në vendin tonë përveç që përkon me zhvillimet në veri të vendit, i dëshmon qartë lidhjet dhe propagandën ruse të cilës i është bashkuar tashmë Serbia dhe që kanë për qëllim destabilizimin e vendit tone”.

Kujtojmë se gjatë ditës së sotme, në Liqenin e Ujmanit është shtënë me armë zjarri në drejtim të Policisë së Kosovës.

Lexo edhe:

Kurti: Hera e dytë në më pak se një javë që Policia e Kosovës sulmohet nga bandat kriminale në veri

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se është hera e dytë brenda një jave që Policia e Kosovës po sulmohet nga bandat kriminale në pjesën veriore të territorit.

Kurti tha se rrugët sot janë pa barrikada por që bandat kriminale po vazhdojnë të barrikadojnë vetën kundër agjencive të Kosovës dhe zbatimit të ligjit.

Lexo edhe:
Sveçla: Strukturat e caktuara serbe, po bëjnë përpjekje të na pengojnë të kryejmë detyrën tonë

Lidhur më këtë ka reaguar edhe Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Ai është shprehur se struktura të caktuara serbe, po bëjnë përpjekje maksimale të na pengojnë apo ndalojnë të kryejmë detyrën tonë brenda vendit.

Lexo edhe:
Lista Serbe-serbëve në veri: Mos bini pre e provokimeve të Sveçlës dhe pushtetit nga Prishtina

Ndërsa, Lista Serbe ka dalur me një komunikatë për media ku ju është drejtuar qytetarëve serb në veri të Kosovës duke ju thënë që të mos bien pre e provokimeve të Ministrit të Brendshëm të Kosovës, Xhelal Sveçlës dhe Qeverisë së Kosovës.

Përmes një postimi në faqen e tyre zyrtarë, Lista Serbe ju është drejtuar serbëve duke ju thënë se pushteti në Kosovë po tenton t’i paraqes serbët e veriut si të këqinj.

Tutje ata thonë se në mjediset serbe nuk ka tensione dhe konflikte si dhe me shqiptarët dhe komunitetet tjera serbët jetojnë në paqe.

Ndërsa, ata thonë se nuk i shkon Prishtinës që çdo ditë dërgon forca të armatosura të cilat ngacmojnë dhe shtypin qytetarët në veri.

Po ashtu, me 31 korrik, serbët në veri të Kosovës, kanë barrikaduar rrugët në shenjë proteste kundër vendimeve të Qeverisë së Kosovës si masa të reciprocitetit me Serbinë për targat dhe dokumentet.

Nga ky tension janë lënduar 11 qytetarë si dhe janë dëmtuar automjete të qytetarëve dhe Policisë së Kosovës.

Me kërkesën e partnerëve ndërkombëtar, Qeveria e Kosovës ka pezulluar vendimet që janë në përputhje me masat ë reciprocitetit për 1 shtator me kushtin që të gjitha barrikadat të largohen.

Në ditën e dytë të tensioneve barrikadat janë larguar nga veriu i Kosovës./Shqip.com