Lajme

Tahiri: Negociatat për marrëveshjën me MCC-në janë nisur nga Jahjaga dhe Thaçi

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka thënë se marrëveshja e nënshkruar mes Qeverisë së Kosovës dhe Korportës së Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC) është nisur nga ish-presidentja Atifete Jahjaga dhe ish-presidenti  Hashim Thaçi.

Megjithatë, arritjen e kësaj marrëveshje, Tahiri e cilëson si lajm të mirë.

“Grupi Parlamentar i PDK-së përshëndet dhe falënderon ShBA-të që për herë të dytë, brenda periudhës shtatëvjeçare, e involvon Republikën e Kosovës në kuadër të MCC-së. Ky projekt në Kosovë është tash e shtatë vjet dhe negociatat për këtë projekt i kanë filluar ish-presidentja Jahjaga dhe ish-kryeministri Thaçi”, tha Tahiri

Tahiri thotë se kjo marrëveshje është finalizuar për herë të parë në vitin 2007.

“Është finalizuar për herë të parë në vitin 2017 me nënshkrimin e parë të këtij projekti nga presidenti Thaçi në Kongresin Amerikan dhe siç është theksuar edhe dje në komunikatën zyrtare të MCC-së ky grant i cili është nënshkruar me Qeverinë e Kosovës është ndarë në vitin 2019”.

Ai e quan fatkeqësi për Kosovën që nuk është filluar implementimi i mëherëshme i kësaj marrëveshje.

“Është fatkeqësi për Kosovën që nuk kemi filluar më herët implementimin për shkak të krizave politike, por megjithatë është lajm jashtëzakonisht i mirë për ekonominë e vendit, marrëdhëniet tona strategjike me ShBA-në që tash këto mjete të ndara, prej 236 milionë eurove, do të fillojnë të implementohen në të dyja vendet”.

Tahiri ka ironizuar edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin i cili dje gjatë ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes me MCC-në e thumboi opozitën.

“Më vjen keq që nuk e kemi kryeministrin këtu me pa se si ndjehet ai përballë një projekti që është zhvilluar në kuadër të këtij 20 vjeçari, si ndihet ai përballë nënshkrimit të kësaj marrëveshje që ka filluar pikërisht të negociohet në vitin 2014 për involvimin e Republikës së Kosovës”.

Gjatë ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes në mes MCC-së dhe Kosovës, Kurti kishte thënë se është i pikëlluar që nuk do të jetë në seancën e Kuvendit kur do të ratifikohej kjo marrëveshje.

Sipas Kurtit, ai do të humbte një rast të rrallë të përkrahjes nga opozita.

Lexo edhe:
Nënshkruhet marrëveshja për energjinë ndërmjet MCC-së dhe Kosovës

Dje gjatë ditës së mërkurë është nënshkruar Marrëveshja për Programin Kompakt, në vlerë të përgjithshme prej 236.7 milionë dollarësh, ndërmjet Kosovës dhe MCC-së në Uashington.

Para ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes, shefja e MCC-së, Alice Albright ka thënë se marrëveshjet e MCC-së sjellin dobi për miliona njerëz, derisa ka thënë se qytetarët e Kosovës po përballen me probleme me energjinë.

Tutje, ajo tha se 4 nga 10 shtëpi në Kosovë përballen me mungesën e energjisë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani para të pranishmëve ka deklaruar se Kosova është krenare që e ka SHBA-në pranë saj si dhe ka theksuar se investimet e tilla do të jenë trashëgimia më e mirë e gjeneratave të ardhshme të Kosovës.

Kurse, kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka thënë se çdo monedhë për këtë projekt do të shkojë për një kauzë të rëndësishme.

Tutje, Kurti shtoi se deri në fund të këtij viti do të bëhet ankandi i parë për energji solare në Kosovë si dhe do të punohet që të punësohen gratë në sektorin e energjisë.

Marrëveshja e cila u nënshkrua në Uashington, pritet të prezantohet sot në Kuvendin e Kosovës për tu ratifikuar.

Lexo edhe:

Marrëveshja në mes MCC-së dhe Kosovës përfshinë tri projekte të rëndësishme në sektorin e energjisë

Programi Kompakt i nënshkruar në mes Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC) dhe Kosovës, përfshinë tri projekte të rëndësishme në sektorin e rëndësishëm.

Nga një njoftim nga zyra e presidencës thuhet se kjo marrëveshje parasheh investime në infrastrukturën për ruajtje të energjisë, zhvillimin e fuqisë punëtore dhe përfshirjen e grave në sektorin e energjisë si dhe, projekti i Institucionit Amerikan të Katalizatorit për Zhvillim.

Nënshkrimi i Marrëveshjes me MCC-në, vije pas përmbylljes së negociatave në muajin maj të këtij viti dhe pas konfirmimit me votë unanime të Programit Kompakt nga Bordi i Drejtorëve të MCC-së./Shqip.com