Lajme

Marrëveshja në mes MCC-së dhe Kosovës përfshinë tri projekte të rëndësishme në sektorin e energjisë

Programi Kompakt i nënshkruar në mes Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC) dhe Kosovës, përfshinë tri projekte të rëndësishme në sektorin e rëndesishëm.

Nga një njoftim nga zyra e presidencës thuhet se kjo marrëveshje parasheh investime në infrastrukturën për ruajtje të energjisë, zhvillimin e fuqisë punëtore dhe përfshirjen e grave në sektorin e energjisë si dhe, projekti i Institucionit Amerikan të Katalizatorit për Zhvillim.

Nënshkrimi i Marrëveshjes me MCC-në, vie pas përmbylljes së negociatave në muajin maj të këtij viti dhe pas konfirmimit me votë unanime të Programit Kompakt nga Bordi i Drejtorëve të MCC-së.

Lexo edhe:
Nënshkruhet marrëveshja për energjinë ndërmjet MCC-së dhe Kosovës

Dje gjatë ditës së mërkurë është nënshkruar Marrëveshja për Programin Kompakt, në vlerë të përgjithshme prej 236.7 milionë dollarësh, ndërmjet Kosovës dhe MCC-së në Uashington.

Para ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes, shefja e MCC-së, Alice Albright ka thënë se marrëveshjet e MCC-së sjellin dobi për miliona njerëz, derisa ka thënë se qytetarët e Kosovës po përballen me probleme me energjinë.

Tutje, ajo tha se 4 nga 10 shtëpi në Kosovë përballen me mungesën e energjisë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani para të pranishmëve ka deklaruar se Kosova është krenare që e ka SHBA-në pranë saj si dhe ka theksuar se investimet e tilla do të jenë trashëgimia më e mirë e gjeneratave të ardhshme të Kosovës.

Kurse, kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka thënë se çdo monedhë për këtë projekt do të shkojë për një kauzë të rëndësishme.

Tutje, Kurti shtoi se deri në fund të këtij viti do të bëhet ankandi i parë për energji solare në Kosovë si dhe do të punohet që të punësohen gratë në sektorin e energjisë.

Marrëveshja e cila u nënshkrua në Uashington, pritet të prezantohet sot në Kuvendin e Kosovës për tu ratifikuar./Shqip.com