Lajme

Sveçla: Radoiçiq, në krye të kontrabandistëve që sulmojnë Policinë

Ministri i Punëve të Brendshme

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla është shprehur se persona të cilët po e sulmojnë Policinë e Kosovës janë të lidhur me aktivitet kriminale.

Sipas tij, bëhet fjalë për disa grupe të kontrabandistëve, që janë të koordinuara ngushtë nga institucionet e Serbisë.

Serbia, thotë Sveçla, i shfrytëzon këto grupe për të minuar autoritetin e Kosovës në veri të vendit, ndërsa si shpërblim, shton ai, u jep mundësi për t’u pasuruar si dhe imunitet pa kufi, raporton Radio Evropa e Lirë.

Sveçla thotë se në krye të kontrabandistëve qëndron Milan Radoçiq.

“Patjetër, Millan Radoiçiq është njëri ndër krerët e kësaj strukture. Tashmë ai është i arratisur, sipas informatave që kemi ndodhet në territorin e Serbisë, por definitivisht që është i kërkuar nga drejtësia në Kosovë, dhe në momentin e parë të mundshëm, ai do të vihet para drejtësisë”, është shprehur Sveçla.

Gjatë mbrëmjes së ditës së shtune, Policia e Kosovës ka ndërmarrë një aksion në veri të vendit.

Mirëpo gjatë këtij aksioni në Leposaviç kanë mbetur të lënduar pesë zyrtarë policorë. Ky aksion kishte për qëllim luftimin e kontrabandës në atë pjesë të vendit.

Sipas Sveçlës, zyrtarët policor i kanë kërkuar Prokurorisë Speciale të marrë në hetim ngjarjen.

Prokuroria Speciale e Kosovës ka reaguar ndaj deklaratës së ministrit të Brendshëm Xhelal Sveçla, i cili tha se policët kanë kërkuar nga kjo prokurori t’i kryej hetimet për rastin në Leposaviq.

Prokurorisë Speciale përmes një reagimi thotë se policia nuk e ka ndjekur vijën zyrtare të komunikimit./Shqip.com