Lajme

Aksion kundër kontrabandës në Leposaviç, sulmohet Polici e Kosovës, lëndohen pesë zyrtarë policor

Policia e Kosovës mbrëmjen 16 korrikut është sulmuar nga disa persona në veri të vendit përderisa e kishin vrenjtur një kamion i cili dyshohej për kontrabandë mallrash.

Ky aksion i Policisë është zhvilluar në fshatin Jashanicë, komuna e Leposaviqit.

Mirëpo gjatë tentimit për ta ndaluar kamionin,, zyrtarët policorë janë penguar nga dy automjete civile.

“Njësitë e Ndërhyrjes së Shpejt të Policisë Kufitare në asistencë të njësisë së Inteligjencës, në tentim për ta ndaluar kamionin i cili dyshohet qe kishte mall të kontrabanduar, i cili ishte duke lëvizur në drejtim të Magjistrales Mitrovice-Jarinjë, kanë bërë bllokimin e pjesshëm të rrugës, me dy vetura policore, me drita rotative të ndezura, me qëllim të sinjalizimit me kohë, për vozitësin e kamionit për tu ndaluar. Policia e Kosovës në fillim ka ndaluar një veturë me ngjyre të zezë, targa të panjohura dhe shoferi i saj dyshohet që ishte duke komunikuar në telefon me vozitësin e kamionit. Kamioni i dyshuar me një shpejtësi të madhe ka ardhur në drejtim të veturave dhe zyrtarëve policorë, me qëllim goditjen e tyre dhe me këtë rast, kamioni ka goditur një veturë zyrtare policore. Përkundër të gjitha sinjalizimeve për tu ndalur duke përfshirë edhe bateritë ndriçuese, i njëjti nuk ka zbatuar urdhrin ligjor të zyrtarëve policorë dhe ka vazhduar me vozitjen”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Sipas njoftimit, zyrtarët policorë me qëllim të ruajtjes së jetës së tyre dhe pjesëmarrësve tjerë në trafik, ruajtjes së pronës si dhe zbatimit të ligjshmërisë kanë vazhduar me përcjelljen e kamionit, duke sinjalizuar gjatë gjithë kohës me alarm dhe rotacion si dhe me drita të gjata të automjetit që të ndalohet, mirëpo i njëjti nuk ka përfillur urdhrat e dhëna dhe ka vazhduar në drejtim të magjistrales Mitrovicë –Jarinje, duke zhvilluar gjatë gjithë kohës shpejtësi shumë të madhe dhe duke rrezikuar të gjithë pjesëmarrësit e tjerë në trafik.

Po ashtu është bërë e ditur se gjatë aksionit, janë lënduar pesë zyrtarë policorë të cilët kanë marrë trajtim mjekësor si dhe është dëmtuar një veturë zyrtare.

“Pas të gjitha veprimeve ligjore zyrtarët policorë, në fshatin Llazhinë kanë arritur të ndalin kamionin dhe me këtë rast kanë arrestuar vozitësin e kamionit, personin e dyshuar A.D (1990).Në vendin e ngjarjes kanë dalur njësia e hetimeve regjionale të policisë kufitare, njësia e anti terrorizmit, njësia e forenzikës si dhe Dogana e Kosovës. Në lidhje me rastin është njoftuar prokurori kujdestar dhe sipas urdhrit të tij, personi i dyshuar A.D, është dërguar në mbajtje dhe iniciohen rastet për ‘Kalim i Kufirit Ilegal’, ‘Kontrabandim Me Mallra’, dhe ‘Sulm ndaj Personit Zyrtar’. Personi i dyshuar U. R, (2002), vozitës i veturës lirohet në procedurë të rregullt ndërsa malli i kontrabanduar i dorëzohet Doganës së Kosovës për procedurë të mëtejme”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar drejt realizimit të objektivave strategjike për të parandaluar aktivitetet kriminale, kontrabandën dhe dukuritë tjera negative./Shqip.com