Lajme

Prokuroria Speciale i reagon Sveçlës për rastin në Leposaviq: Policia nuk e ka ndjekur vijen zyrtare të komunikimit

Prokuroria Speciale e Kosovës
Prokuroria Speciale e Kosovës

Prokuroria Speciale e Kosovës ka reaguar ndaj deklaratës së ministrit të Brendshëm Xhelal Sveçla, i cili tha se policët kanë kërkuar nga kjo prokurori t’i kryej hetimet për rastin në Leposaviq.

Prokurorisë Speciale përmes një reagimi thotë se policia nuk e ka ndjekur vijen zyrtare të komunikimit.

“Prokuroria Speciale në lidhje me deklarimet e Ministrit të Punëve të Brendshme, z. Xhelal Sveçla, për rastin e sulmit të policëve në Leposaviq, njofton opinionin publik se deklarimi i z. Sveçla që “Zyrtarët policorë i kanë kërkuar Prokurorisë Speciale të marrë në hetim ngjarjen. Edhe pas këmbënguljes së tyre, Prokuroria nuk u përgjigj pozitivisht”, nuk paraqet pasqyrën e saktë të ngjarjes në kontekstin ligjor, për faktin se kompetenca lëndore e prokurorisë, në rastin konkret, kompetenca e veçantë dhe plotësuese e PSRK-së për hetimin e rasteve, është e përcaktuar qartë me ligj dhe nuk është në diskrecion të policisë apo zyrtarëve të Qeverisë që të përcaktojnë se cilat raste duhet të hetohen nga PSRK-ja dhe cilat nga prokuroritë themelore”, thuhet në reagim.

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla.

Sipas PSRK-së lidhur me rastin nuk është kontaktuar prokurori kujdestar por prokurori përgjegjës për terrorizëm, i cili ka vlerësuar se rasti nuk ka elemente të veprës terroriste.

“Policia e Kosovës nuk ka ndjekur vijën e rregullt të komunikimit zyrtar të përcaktuar për rastet e hetimeve – komunikimin me prokurorin kujdestar, por ka komunikuar me prokurorin përgjegjës për terrorizëm në PSRK, i cili pasi ka marrë informatat nga policia, ka vlerësuar se rasti nuk ka elemente terrorizmi dhe të njëjtit i udhëzon që nëse nga veprimet e mëtejmë të policisë mund të rezultojë se ka elemente të terrorizmit, të njoftohet prokurori kujdestar në PSRK”, përfundon reagimi.

Lexo edhe:
Sveçla: Prokuroria e liroi menjëherë njërin prej kontrabandistëve sulmues të policisë

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, pas aksionit në Leposaviq ku u lënduan pesë policë, ka thënë se “zyrtarët policor i kanë kërkuar Prokurorisë Speciale të marrë në hetim ngjarjen”./Shqip.com