Lajme

Sveçla pas arrestimit të zyrtarit policor: Zero tolerancë ndaj krimit, posaqërisht atij brenda rradhëve të policisë

Xhelal Sveçla, Ministër i Punëve të Brendshme

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar pas arrestimit të një zyrtari policor, i cili dyshohet se dëmtoi provat nga aksioni i djeshëm anti-drogë në fshatin Izvor të Zveçanit.

“Për shkak të dëmtimit të provave nga aksioni i djeshëm për shkatërrimin e laboratorit të drogës në Izvor të Zveçanit, nga Inspektorati Policor i Kosovës arrestohet një zyrtar policor nga Njësia e Reagimit të Shpejtë -Veri dhe dërgohet në mbajtje”, ka shkruar Sveçla në Facebook.

Ai ka thënë se do të ketë “zero tolerancë ndaj krimit, posaçërisht atij brenda radhëve të policisë”.

“Për polici të pastër në shërbim të ligjit e qytetarëve! Për policë të ndershëm e profesionalë!”, ka shtuar ai.

Theksojmë se Inspektorati Policor i Kosovës, ka njoftuar se zyrtar policor është arrestuar pasi dyshohet se i njëjti ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare apo autoritetit” dhe “Manipulim me prova”.

“Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht hetuesit e Departamentit të Hetimeve kanë arrestuar sot një zyrtar policor në Drejtorinë Rajonale të Mitrovicës së Veriut me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale të “Keqpërdorim i detyrës zyrtare apo autoritetit” dhe “Manipulim me prova”. Inspektorati Policor sot në orët e pasdites përmes rrugëve operative kishte pranuar informacione se ky zyrtar policor dyshohet se ka dëmtuar disa kamera të sigurisë dhe pajisje të tjera në afërsi të vendit të ngjarjes ku është zhvilluar dje operacioni i përbashkët anti-drogë i policisë dhe doganës në fshatin Izvor të Zveçanit”, thuhet në komunikatë.

Lexo edhe:
Burime për Shqip: Dogana në aksionin për bitcoin në Zveçan, gjen laborator të marijuanës

Burimet për Shqip.com kanë treguar se gjatë aksionit të 23 majit, ka pasur edhe të shtëna me armë zjarri dhe i gjithë aksioni ka ndodhur në objektin ku dyshohet se pronar është Sinisha Nedelkoviq.

Gjatë ditës së djeshme, Sveçla tha se droga e cila u sekuestruar kap vlerën e 6 milionë eurove. ndërsa vlera e pajisjeve 1.5 milionë euro./Shqip.com

Lexo edhe:
Droga e sekuestruar në Izvor kap vlerën e 6 milionë eurove