Lajme Ballkan

S’ka referendum në Kosovë, Serbia ka një “Plan B” për serbët e Kosovës

Referendumi.

Komisioni i Zgjedhjeve në Serbi ka marrë vendim që serbëve nga Kosova t’ua mundësojë votimin në referendumin serb nëpër qytete të Serbisë, transmeton Shqip.com.

Në gjithsej 45 vendvotime, në listat e votuesve do të shtohen edhe emrat e serbëve nga Kosova të cilët do të mund të votojnë në referendumin për ndryshim të Kushtetutës në fushën e drejtësisë, raporton novosti.rs.

Lexo edhe:
Kurti falënderon deputetët për miratimin e rezolutës për mosmbajtje të referendumit serb në Kosovë

Sipas raportimeve, në Vranjë do të mund të votojnë serbët që jetojnë në komunën e Vitisë, Gjilanit, Kamenicës dhe Novobërdës.

Në Novi Pazar, ata që jetojnë në Istog, Pejë, Klinë, Prizren dhe Rahovec, kurse në Kurshumli do të votojnë serbët që jetojnë në Fushë Kosovë, Prishtinë, Lipjan, Ferizaj, Shtërpcë dhe Obiliq.

Ndërkaq, serbëve lokalë të Zveçanit, Vushtrrisë, Zubin Potokut, Mitrovicës dhe Leposaviqit, do t’u mundësohet votimi në Rashkë.

Ndryshe, të shtunën, në një seancë të jashtëzakonshme, Kuvendi i Kosovës, me 76 vota pro dhe një abstenim ka miratuar rezolutën kundër mbajtjes së referendumit serb në Kosovë.

Lexo edhe:
Selmanaj për abstenimin e tij: Seanca ishte për shkak të pazotësisë dhe nevojave personale të Kurtit

Në këtë seancë morën pjesë edhe dy partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës që e përkrahën këtë rezolutë.

Ndërkaq, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lista Serbe nuk kanë marrë pjesë në këtë seancë të jashtëzakonshme.

Pas votimit të kësaj rezolute, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i falënderoi deputetët duke thënë se qëndrimi i institucioneve është në mbrojtje të kushtetueshmërisë dhe ligjshmërisë në vend duke thënë se nuk do t’i shkelin parimet.

Kurse, Driton Selmanaj i LDK-së, deklaroi se abstenoi në miratimin e kësaj rezolute, për shkak të pazotësisë dhe mungesës së integritetit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Lexo edhe:
Sveçla: Nuk do të lejojmë mbajtjen e referendumit serb në Kosovë

Në një prononcim për Shqip.com, ai theksoi se thirrja e kësaj seance ka qenë e panevojshme pasi që i ka shërbyer vetëm interesave personale të Kurtit.

Por, Drejtori i së ashtuquajturës “Zyrë për Kosovën” në Serbi, Petar Petkoviq, në Serbi, Petar Petkoviq, tha se përmes rezolutës kundër referendumit serb në Kosovë, Kuvendi i Kosovës po i konfronton serbët që jetojnë këtu.

Madje, Petkoviq pas miratimit të kësaj rezolute, deklaroi se ky veprim “nuk do të kalojë pa pasoja”./SHQIP.com