Lajme

Sveçla: Nuk do të lejojmë mbajtjen e referendumit serb në Kosovë

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se nuk do të lejojnë që të mbahet referendumi serb në Kosovë, përcjell Shqip.com.

Përmes një postimi në Facebook, Sveçla bëri të ditur se nuk janë kundër askujt dhe nuk i mohojnë askujt të drejtën për të zgjedhur, por që nuk lejojnë të shkelet rendi kushtetues për “qëllime politike të Serbisë”.

Lexo edhe:
Selmanaj për abstenimin e tij: Seanca ishte për shkak të pazotësisë dhe nevojave personale të Kurtit

“Ne nuk mund dhe nuk do të lejojmë që Serbia të ushtrojë kompetencat e sovranitetit në territorin e Kosovës, sepse Kushtetuta e Kosovës ka përcaktuar qartë që Republika e Kosovës është shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik dhe i pandashëm.

Pra, sovraniteti i vendit tonë dhe integriteti territorial i Republikës, është i pacënueshëm dhe i patjetërsueshëm”, shkroi ndër tjerash ai.

Sipas tij, Serbia po vazhdon fushatën manipuluese ndaj serbëve të Kosovës, duke thënë se kjo duhet të marrë fund.

Lexo edhe:
Kurti falënderon deputetët për miratimin e rezolutës për mosmbajtje të referendumit serb në Kosovë

“Serbia po vazhdon fushatën manipuluese ndaj qytetarëve serb të Kosovës, e kjo duhet të marrë fund. Qeveria e Kosovës, ka bërë të qartë që qytetarët serb mund ta ushtrojnë të drejtën e tyre duke votuar me postë, në Zyrën Ndërlidhëse apo duke shkuar për të votuar në vendvotimin e tyre në Republikën e Serbisë”, shkroi ai.

Tutje, ministri kosovar tha se e përshëndet miratimin e rezolutës kundër mbajtjes së referendumit serb në Kosovë, teksa falënderoi Policinë dhe Doganën e Kosovës për profesionalizmin e treguar lidhur me ndalimin e futjes së materialit për referendumin që do të mbahet në Serbi.

Ndryshe, Kuvendi i Kosovës me 76 vota pro dhe një abstenim ka miratuar rezolutën që kundërshton mbajtjen e referendumit serb në Kosovë.

Pas miratimit të saj, Kurti, ka falënderuar deputetët e Kuvendit të Kosovës për miratimin e rezolutës së përbashkët të rezolutës që kundërshton mbajtjen e referendumit serb në Kosovë./SHQIP.com