Lajme

Selmanaj për abstenimin e tij: Seanca ishte për shkak të pazotësisë dhe nevojave personale të Kurtit

Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, deklaroi se abstenoi në miratimin e rezolutës kundër mbajtjes së referendumit serb në Kosovë, për shkak të pazotësisë dhe mungesës së integritetit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Në një prononcim për Shqip.com, ai thekson se thirrja e kësaj seance ka qenë e panevojshme pasi që i ka shërbyer vetëm interesave personale të Kurtit.

Lexo edhe:
Kurti falënderon deputetët për miratimin e rezolutës për mosmbajtje të referendumit serb në Kosovë

“Në fakt vota ime abstenuese ishte shprehje e mendimit tim për të injoruar thirrjen e kësaj seance e cila ishte seancë koti, pa substancë e panevojshme dhe krejtësisht për nevoja personale të kryeministrit Kurti.

Kurti ka kompetenca të veta kushtetuese që të marr vendime të tilla për të mbrojtë kushtetueshmërinë, integritetin sovranitetin e vendit”, deklaroi deputeti.

Sipas tij, Kurti në pazotësi për të marrë vendime si Qeveri, “ka futur në valle edhe Kuvendin e Kosovës në mënyrë të panevojshme”.

Tutje, Selmanaj tha se arsye tjetër për abstenim është edhe qasja e Kurtit me shtetet e QUINT-it, duke shtuar se është e gabuar.

Ai shton se Qeveritë paraprake, të gjitha vendimet e rëndësishme i kanë marrë në bashkëpunim të ngushtë me këto shtete.

“Nga ana tjetër vota ime kishte edhe një arsye që është edhe qasja e papranueshme që Kurti ka vendosë të bashkëpunojë dhe bashkëbisedojë me aleatët tonë strategjik. Është hera e parë, kur 20 vite pas lufte, tërë QUINT-i del kundër qëndrimit të Kosovës.

Kjo është tejet shqetësuese, ne deri para kësaj qeverie të gjitha çështjet janë zgjidhur me diskutimet e brendshme me partnerët jo me letra, por brenda edhe këto veprime që janë të drejta për Kosovën që të mos lejojë organizimin e referendumit duhet të bëhen në konsulta me miqtë tanë, duhet adresuar tek ta arsyet dhe vendimet e tilla të jenë më pas të sinkronizuara me ta”, tha Selmanaj.

Deputeti opozitar shtoi se Kuvendi nuk mund që t’ia rikujtojë kryeministrit Kurti, kompetencat që ky i fundit i ka.

Ndërkaq, shtoi se është kundër referendumit pasi që edhe nenet dhe ligjet e kundërshtojnë një gjë të tillë.

Ndryshe, Kuvendi i Kosovës me 76 vota pro dhe një abstenim ka miratuar rezolutën që kundërshton mbajtjen e referendumit serb në Kosovë.

Pas miratimit të saj, Kurti, ka falënderuar deputetët e Kuvendit të Kosovës për miratimin e rezolutës së përbashkët të rezolutës që kundërshton mbajtjen e referendumit serb në Kosovë./SHQIP.com