Lajme

Kurti falënderon deputetët për miratimin e rezolutës për mosmbajtje të referendumit serb në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka falënderuar deputetët e Kuvendit të Kosovës për miratimin e rezolutës së përbashkët të rezolutës që kundërshton mbajtjen e referendumit serb në Kosovë, përcjell Shqip.com.

Përmes një postimi në Facebook, Kurti deklaroi se qëndrimi i institucioneve është në mbrojtje të kushtetueshmërisë dhe ligjshmërisë në vend duke thënë se nuk do t’i shkelin parimet.

Lexo edhe:
Kuvendi miraton rezolutën për mosmbajtjen e referendumit serb në Kosovë

“Qëndrimi i institucioneve të Republikës së Kosovës është qëndrim parimor, në mbrojtje të kushtetueshmërisë dhe ligjshmërisë në vendin tonë. Ne nuk do t’i shkelim parimet tona.

Praktikat e dëmshme ndryshohen, e ligji do të respektohet. Kosova është shtet sovran dhe i pavarur, ashtu duhet edhe të trajtohet”, shkroi ndër tjerash Kurti.

Ndryshe, kjo rezolutë është miratuar në seancën e jashtëzakonshme të shtunën, me 76 vota pro dhe një abstenim.

Në këtë seancë morën pjesë edhe dy partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës që e përkrahën këtë rezolutë.

Ndërkaq, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lista Serbe nuk kanë marrë pjesë në këtë seancë të jashtëzakonshme./SHQIP.com