OP-ED Kolumne

Saga e mallkimit!

Sheshi "Skenderbeu" Prishtinë
Artan Kajtazi
Artan Kajtazi

Publikuar:

Kafe apo çaj? Më pyeti kamarieri ku u ula në karrigen e njëjtë tash e shtatëmbëdhjetë vjet. Rrezet e diellit seç depërtonin nga degët e pemëve (që dukeshin si skelete) në ditë dimri. Përballë shihja katedralen dhe në anën e kundërt minaren e xhamisë. Kullën së pashë! E kishin mbuluar shumëkatëshet me plane të “çoroditura”! 

Kamarieri prapë më pyeti me një zë të mprehtë e therës: kafe apo çaj? Ia ktheva përgjigjen paksa i nevrikosur (mbylle derën) dhe më sjellë atë që e pijë çdo ditë! Iku me vrap, pa thënë asnjë fjalë dhe ma solli kafenë e zezë “korb”! Dhe një taketuke, edhe pse e di se nuk e pija cigaren që një kohë të gjatë!

Deri sa e pija kafen, e vura dorën në ballë, dhe shihja njerëzit duke ecur poshtë e lartë (shumica dukeshin të hutuar). Thash me vete: çdokush e ka një destinacion. Ndoshta disa edhe bredhin skutave dhe përplasen pas qosheve të rrugëve si fluskat e borës! Por, nuk mund të imagjinoj pritjet dhe bredhjet (pa arsye).

Por, gjithsesi, mund t’i dëgjoj “mallkimet” e njerëzve të uritur kundër atyre që e kanë hedhur këtë vend “në plehra” dhe njëherësh t’i shoh “shenjat” në trotuaret e rrugëve, në të dyja anët e qytetit! Gjithsesi, u përpoqa të gjejë një “kod” për “lojërat” e vjetra, por kot u “gërvishta”! Meqë ra fjala, është koha që këtë hendek të ndyrë ta “kapërcejmë” me sa më lehtësi! Nëse mundemi, sigurisht! Nëse dimë, praktikisht!

Po, tani? Dua të shikoj nga lartë “linjat” në veri dhe “rrethet” në jug! Gjithçka ishte analoge! Faturat, me patjetër, duhet t’i paguajmë. Nëse jo sot, nesër me detyrim! Këtë çmim nuk mund ta harrojmë, asnjëherë! Dhe gjithsesi, nuk duhet falur “fajtorin”!

Pse e kanë bërë këtë vend kështu? Dhe ne kthehemi pas, në vitin 1999! Aty kishim vetëm një simbol dhe një qëllim. Athua: dikush, qëllimisht, donë të shkaktojë vuajtje! Dikush, qëllimisht, donë të shkaktojë kaos! Dikush, qëllimisht, donë të shkaktojë dhimbje! Mbetët për t’u parë! Por, pemët mund t’i “shkatërrojnë” dhe gjethet mund t’i shkelin, por rrënjët gjithsesi mbesin aty!

Tek e fundit, kush dreqin jeni ju? Çfarë doni? Rrjedhën e ujit mund ta shtrembëroni, por assesi ta ndalni. Dhe pyes prapë veten (deri sa pijë gllënjkën e fundit të kafes): kush jeni? Lojtarë?! Ah, por mendoj se kjo nuk është e drejtë! Sigurisht që jo! Nuk mund të bëhesh kështu “hero”! Assesi! Asnjëherë! Kurrë!

Sa më shumë që shkaktohet vuajtje, kaos, dhimbje, terror, kulla do të marr ngjyrë gri! Do ta mbulojë një re e errët! Dhe më pastaj, saga e mallkimit nuk do të “shërohet” aq lehtë! Ndoshta edhe asnjëherë! Është “shtëpia jonë” dhe sigurisht duhet të kujdesemi për themelet e saj!

Maska, mos harroni, se një ditë do të ju bie! Praktikisht, edhe atëherë kur vet do ta ulni kokën! E di se qentë e egër një ditë më nuk do të kafshojnë, as hënën nuk do ta lehin! Realiteti mund të jetë “i mallkuar”, por vlera dhe mirëqenia do të triumfojnë! 

Ndoshta kjo është pak e tepërt, por mjafton se nuk është aspak teatrale. Pikërisht kjo është arsyeja dhe kjo ndodhë sepse ka shumë lakuriqësi nate! Mjafton me kaq që të jesh pranë kapjes së “subjektit”! Kështu që, për shembull, për të dalë jashtë “ideve” mjafton të i bie rrotull qytetit dhe të shohësh të bardhën dhe të zezën.

Deri sa me “brodhën” mendimet si retë e bardha mbi kokë, u ngrita nga karrigia, nxora nga xhepi disa monedha metalike, i lash në tavolinë, skaj filxhanit të “ngrirë”, vesha pallton (dorëza zakonisht nuk veshi, gjurmët e gishtërinjve i lë çdo kund) dhe posa dola nga dera e kafeterisë thash me vete: ndoshta janë të paditur, ziliqarë, para se gjithash lakmitarë, por gjithsesi një ditë do t’i zë “mallkimi”!

/Shqip.com