Ekonomi Biznes

Rritet përdorimi i kartelave bankare, sfidë mbetet keqpërdorimi i madh i tyre

Përdorimi i kartelave bankare
Përdorimi i kartelave bankare

Përkundër krizës ekonomike në Kosovë, përdorimi i kartelave bankare për kryerjen e shit-blerjeve është rritur dukshëm në Kosovë.

Vetëm deri në fund të vitit 2022 janë raportuar 1 milionë e 510 mijë e 665 kartela bankare në vend, duke shënuar një rritje prej 32 mijë e 404 kartela të raportuara në vitin e kaluar.

Zëdhënësja e Shoqatës së Bankave të Kosovës, Vesa Vuçitërna ka thënë për Shqip.com se pandemia ka pasur rol të rëndësishëm në rritjen e përdorimit të kartelave.

Përqindja e përdorimit të produkteve digjitale është rritur gjatë vitit të fundit për shkak të disa faktorëve. Së pari, pandemia COVID-19 na dërgoi në një zhvendosje drejt blerjeve në internet, gjë që shpesh kërkon përdorimin e produkteve digjitale dhe kartelave bankare. Më më shumë njerëz që blejnë nga shtëpia, përdorimi i kartelave bankare u rrit natyrshëm”, ka thënë Vuçitërna.

Sipas saj, përdorimi i kartelave bankare është një mënyrë më e sigurt dhe më e përshtatshme.

Për më tepër, bankat kanë ofruar stimuj tërheqës, të tillë si kthimi i parave në raste të mos-pëlqimit të produktit Online, ose pikë shpërblimi në momentin që përdoren produktet digjitale për të inkurajuar më shumë përdorim. Së fundi, ndërsa më shumë njerëz bëhen të vetëdijshëm për përfitimet e përdorimit të produkteve digjitale, ata po zgjedhin gjithnjë e më shumë t’i përdorin ato në vend të parave të gatshme ose metodave të tjera të pagesës”.

Eksperti i ekonomisë, Lulzim Beqiri ka thënë për Shqip.com se përdorimi i kartelave bankare ndikon në rritjen ekonomike në Kosovë.

Sipas tij, përfituesit më të mëdhenj janë bankat, duke potencuar se Banka Qendrore e Kosovës duhet ta rris mbikëqyrjen.

Lulzim Beqiri – Ekspert i ekonomisë

Duke analizuar profitin e bankave komerciale në vend, përfitues kryesor janë banka në Kosovë, pastaj bizneset dhe në fund qytetarët e vendit. BQK duhet të rrisë mbikëqyrjen ndaj bankave sepse jo rrallë herë interesi është tejet i lartë, prandaj duhet mbikëqyrje më e madhe nga organet kompetente. Kosova ka një infrastrukturë solide të sigurisë sa i përket përdorimit të kartelave bankare, mendoj se përdorimi i kartelave bankare është standard në gjithë botën, ofron siguri në blerje, njëkohësisht edhe lehtësira në pagesa”.

Nga të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës, numri i transaksioneve gjatë muajit janar dhe shkurt ka arritur në 50 mijë e 118.

Banka Qendrore e Kosovës

Vlera e transaksioneve për këto dy muaj ishte mbi 1.2 miliard euro, ndërsa, në dy muajt e njëjtë të vitit të kaluar, numri i transaksioneve ishte 40 mijë e 251, derisa vlera e transaksioneve arriti në shumën prej një miliard eurove.

Numri i llogarive bankare deri në dhjetorin e vitit të kaluar ishte 2 milionë e 371 mijë e 544 që është më e vogël se dhjetori i vitit 2021 ku kishte mbi 13 mijë llogari bankare më shumë.

Ndërkoh, zëdhënësja e Shoqatës së Bankave të Kosovës, Vesa Vuçitërna, tha se përdorimi i kartelave, ulë mundësinë e qarkullimit të parave të falsifikuara.

Kryerja e blerjeve me anë të kartelës është mënyrë më e lehtë dhe e sigurt për klientët, sesa pagesat me para kesh. Në ditët e sotme kur në treg qarkullon një numër i konsiderueshëm i parave të falsifikuara, blerja përmes kartelave bankare ofron një formë më të sigurt për kryerjen e pagesave. Pra, pagesat digjitale reduktojnë fenomenin e falsifikimit të parasë, por në anën tjetër edhe sistemi bankar ka një barrierë të forte të sigurisë ndaj sulmeve kibernetike duke rritur edhe më tepër sigurinë e blerjes pa përdorur para kesh”.

Por, pranon se përdorimi i kartelave nuk po mund ta eliminoj plotësisht mashtrimin, pasi sipas saj, kur klientët shpërndajnë të dhënat e tyre personale pa qenë mirë të informuar se me kë po i ndajnë ato të dhëna, po mund të bien pre e keqpërdorimeve.

/Shqip.com