Ekonomi

Rriten çmimet për produktet esenciale, hetimi varet nga Qeveria dhe Kuvendi

Ilustrim

Në tregun kosovar janë shtrenjtuar çmimet e produkteve esenciale, këtë e ka konfirmuar Sakip Imeri, Drejtor i Përgjithshëm në Autoritetin Kosovar të Konkurrencës – i cili në një përgjigje për Gazetën Online Shqip.com, pohoi se “mund të bëjnë hulumtim, por jo hetim për këtë rritje çmimesh”.

Kjo pasi, Autoriteti Kosovar i Konkurrencës, që nga 9 qershori i këtij viti është pa komision.

Imeri, theksoi se sipas ligjit institucionet duhet të informohen 60 ditë para se të skadojë mandati i komisionit.

“Këtë obligim e kam kryer, tash është në agjendë të kryeministrit e jo të institucionit”, tha ai.

Shqip.com ka tentuar të kontaktojë me njërin nga zëdhënësit e Qeverisë, por s’janë përgjigjur.

Ndërsa, nga Kuvendi i Kosovës, deklaruan se deri më datën 1 shtator nuk është dorëzuar ndonjë shkresë me shkrim për propozimin e anëtarëve të këtij komisioni, të cilët më pas duhet të votohen nga deputetët.

“Anëtarët e Komisionit të Konkurrencës emërohen nga Kuvendi me propozim të Qeverisë së Kosovës. Deri më 01.09.2021 në Kuvend nuk është proceduar me shkrim ndonjë propozim për emërimin e anëtarëve të Komisionit të Konkurrencës”, thuhet në përgjigje.

Ditë më parë, deputetja e opozitës nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Hykmete Bajrami, kishte ngritur çështjen e shtrenjtimit të çmimeve.

Lexo edhe:
Zvicër: Nga e hëna, të pavaksinuarit mund të mos trajtohen në spitale

Disa nga shkaqet e ngritjes së çmimeve për produktet ekzistenciale u përmenden nga kryetari i Aleancës Kosovare së Bizneseve, Agim Shahini.

Potencoi se rritja e çmimeve për produktet esenciale ka ardhur edhe si rezultat i shtrenjtimi të lëndës së parë.

“Prodhuesit vendorë varen nga importi i lëndës së parë”, deklaroi ai.

Madje, sipas tij – gjatë kohës së pandemisë sektori i prodhimit ka hasur në vështirësi, shkak i mungesës së fuqisë punëtore.

“Ndërsa gjatë verës ka pasur një shtim të konsumimit, për shkak të pushimeve verore dhe ardhjes së mërgimtarëve në vend”.

Në mikroekonomi, rritja e kërkesës e determinon shpesh edhe ngritjen e çmimit.

Çmimi nga prizmi i ekspertëve të marketingut cilësohet të jetë njëri nga komponentët më komplekse, sidomos në përcaktimin e tij, pas definon vlerën e produktit.

Mbi këtë, Sakip Imeri deklaroi se kanë bërë një hulumtim për rritjen e çmimit të vajit, por s’ka rezultuar më ndonjë “marrëveshje potenciale ndërmjet afaristëve”.

Gjithashtu, shtoi se shtrenjtimi i produkteve nuk është fenomen i lokalizuar veç në Kosovë.

“Vërehet një rritje çmiesh në rajon dhe më gjerë”, tregoi Drejtori i AKK-së.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës ,në vitin 2020, pagat mesatare bruto në Kosove ishin 466 Euro, derisa në vitin 2019 ishin 477 Euro.

Në Kosovë, paga minimale ka mbetur në 170 euro. Qeveria aktuale ka premtuar ngritjen e saj në 250 sosh.

Konsumi është kosto e gjysmës së të hyrave për familjet që të ardhurat mujore iu sillen te paga mesatare. /Shqip.com