Lajme

Rizvanolli ngre alarm: Do të kemi dimër të vështirë, kursejeni energjinë elektrike

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, në një konferencë për media ka thënë se Qeveria po punon për gjetjen e zgjidhjeve teknike e operacionale për të realizuar subvencionimin e aprovuar prej 90 milionë euro për energjinë elektrike.

Ajo tha se ballafaqimi me mungesë të energjisë elektrike është i pashmangshëm andaj apelon që të kursehet rryma.

“Sezoni i dimrit do të jetë i vështirë për të gjithë Evropën, e kjo do të na ndikojë edhe te ne. Vendet si Britania e Madhe dhe Zvicra kanë paraqitur masa të ndryshme për kursime të energjisë. Prandaj, në këtë drejtim është mirë të jemi të vetëdijshëm për çfarë na pret, e ku ne po marrim masat e nevojshme. KEK-u po bën përgatitjet që ndërhyrjet në blloqet e Kosova A dhe Kosova B të përfundojnë para dimrit. Duhet të kursejmë energji”, ka thënë Rizvanolli.

Ministrja Rizvanolli, nënshkrimi e marrëveshjes për energjinë me Shqipërinë e sheh si ndihmesë për ta kaluar dimrin me më pak probleme.

“Secili në shtëpi e institucione duhet ta bëjmë maksimumin për kursimin e energjisë. Pra, në masat emergjente parashihet se si duhet që institucionet publike të kursejnë. Marrëveshja me Shqipërinë për energjinë do na ndihmojë ta kalojmë këtë dimër. Ky është realiteti me të cilin do të përballemi ashtu si vendet e tjera. Do të bëjmë maksimumin që ta kalojmë këtë dimër sa më lehtë, por na duhet edhe ndihma e juaj”, përfundoi ajo.

Të martën, Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka pranuar Aplikimin për Shqyrtim të Jashtëzakonshëm të të Hyrave të Lejuara Maksimale për Furnizuesin me Shërbim Universal (FSHU).

Lexo edhe:
ZRRE pranon kërkesë emergjente për rritje të çmimit të energjisë, shkak mossubvencionimi nga Qeveria

Në kumtesë thuhet se FSHU kërkesën e saj e bazon në mos-disbursimin e subvencionit të zotuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe situatën e krijuar në tregun e energjisë me shumicë si pasojë e rritjes enorme të çmimeve të energjisë elektrike në tregjet ndërkombëtare.

Theksojmë se javë më parë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se po bëjnë remonte të njësive Kosova A dhe B, në mënyrë që gjatë dimrit të ketë sa më shumë prodhim vendor.

“Sa i përket kapaciteteve ekzistuese ne po bëjmë remonte të njësive, edhe të Kosovës A dhe të Kosovës B në mënyrë që në muajt e dimrit kur kosto e energjisë është më e lartë në tregun ndërkombëtar dhe në anën tjetër kur nevojat dhe kërkesa është po ashtu më e madhe të kemi sa më shumë prodhim vendor.” tha ai.

Lexo edhe:
Kosova A dhe B në remont, Kurti nuk e përjashton subvencionimin për energjinë elektrike

Kurti nuk ka përjashtuar as mundësinë e subvencionimit për energjinë elektrike.

Kriza energjetike në nivel global dhe faktorë të tjera, janë paralajmërime se Kosova mund të ballafaqohet me një dimër më të vështirë për shkak të mungesës së energjisë elektrike.

Kosova është njëra nga vendet më pak të përgatitura për t’u përballur me krizën energjetike. Dimrin që shkoi zbatoheshin reduktime të vazhdueshme./Shqip.com