Lajme

Kosova A dhe B në remont, Kurti nuk e përjashton subvencionimin për energjinë elektrike

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se po bëjnë remonte të njësive Kosova A dhe B, në mënyrë që gjatë dimrit të ketë sa më shumë prodhim vendor.

Kjo deklaratë vjen pas paralajmërimeve se do të ketë krizë energjetike në gjithë Evropën, përfshirë edhe Kosovën.

“Sa i përket kapaciteteve ekzistuese ne po bëjmë remonte të njësive, edhe të Kosovës A dhe të Kosovës B në mënyrë që në muajt e dimrit kur kosto e energjisë është më e lartë në tregun ndërkombëtar dhe në anën tjetër kur nevojat dhe kërkesa është po ashtu më e madhe të kemi sa më shumë prodhim vendor.” tha ai.

Termocentrali Kosova A

Kurti nuk ka përjashtuar as mundësinë e subvencionimit për energjinë elektrike.

“Ne gjithmonë jemi në ballë të betejave që i kanë qytetarët e Republikës, përfshirë këtu edhe subvencionimin që bëjmë.. Qeveria e Republikës së Kosovës gjithmonë ka ndarë mjete për subvencionim në mënyrë që kostoja të mos reflektohet, apo sa më pak të reflektohet te qytetari, pra është fjala për koston e shtuar në kushtet e krizës energjetike”, ka thënë ai.

Kriza energjetike në nivel global dhe faktorë të tjera, janë paralajmërime se Kosova mund të ballafaqohet me një dimër më të vështirë për shkak të mungesës së energjisë elektrike.

Kosova është njëra nga vendet më pak të përgatitura për t’u përballur me krizën energjetike. Dimrin që shkoi zbatoheshin reduktime të vazhdueshme.

Ndërkohë, Zyra e Rregullatorit të Energjisë, gjatë javës së kaluar ka treguar se furnizuesi i energjisë elektrike ka paraqitur kërkesë zyrtare pranë këtij institucioni për shqyrtimin e jashtëzakonshëm të tarifave të energjisë elektrike, meqë Qeveria e Kosovës nuk ka realizuar subvencionimin, siç ishte zotuar në fillim të vitit./Shqip.com