Lajme

Rama: Sistemet e pikave kufitare janë në punë qysh prej mëngjesit të sotëm

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama

Gjatë ditës së djeshme, Ministria e Punëve të Brendshme të Shqipërisë ka bërë të ditur se faqja e Policisë së shtetit të Shqipërisë është sulmuar.

Po ashtu nga Ministria e Punëve të Brendshme bëjnë me dije se janë duke punuar në rikthimin e sistemit TIMS.

Shqip.com ka kontaktuar Drejtorin e Policisë së Shtetit të Shqipërisë, Muhamet Rrumbullakun, i cili ka deklaruar se lëvizja e qytetarëve po vazhdon pavarsisht rënjës së sistemit TIMS.

Pamje nga pika kufitare Vermicë- Morinë

Ndërsa gjatë ditës së sotme, Edi Rama ka bërë të ditur se sistemet e pikave kufitare janë në punë qysh nga mëngjesi.

Lexo edhe:
Sulmohet faqja e Policisë së Shtetit, lëvizja e qytetarëve në pikat kufitare po vazhdon

“Sistemet e pikave kufitare janë në punë qysh prej mëngjesit të sotëm. Përtej ndjesisë së rëndë që krijon penetrimi në këto sisteme, njësoj si kur të hyjnë në shtëpi e të vjedhin, fakti është se agresioni nuk ia ka arritur asfare qëllimit, asnjë zhdukje a rrjedhje serioze të dhënash” ka shkruar Rama në Twitter.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama përmes një video live ditë më parë njoftoi se Shqipëria ka ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Iranin si shkak i sulmeve kibernetike që Irani ka kryer mbi Qeverinë Shqiptare gjatë korrikut./Shqip.com