Ekonomi

Qindra raste të keqpërdorimit të kartelave bankare, qytetarët fajësojnë bankat, këto të fundit qytetarët

Në bisedat e përditshme mes njerëzve një prej temave kryesore që ka zënë vend është edhe ajo për keqpërdorimin e kartelave bankare, fenomen që po vazhdon të shënoj rritje.

“Në E-banking e pash që disa transaksione janë bërë pa dijeninë time në bankën TEB me përshkrimin “E-commerce Facebk”. E kom blloku kartelën dhe rastin e kom lajmëru në polici. Në bankë më thënë se nuk jam i vetmi rast në këto ditët e fundit”, thotë qytetari me inicialet E.A.

Të tjerët akuzojnë bankat se janë treguar neglizhente.

“Banka Pro Credit në rastin tim është treguar shume neglizhente përballë shqetësimit tim”, ka thënë K.H.

Për dy vjet qindra raste të paraqitura në polici

Policia e Kosovës ka bërë të ditur për Shqip.com se në vitin 2021 kanë qenë 187 raste kurse, në vitin 2022 kanë qenë 290 raste të hyrjeve në sistemin kompjuterik.

Policia ka treguar edhe cilat janë format më të shpeshta të mashtrimeve në ueb-faqe dhe në rrjetet sociale.

“Mashtrimet e bizneseve përmes internetit” – Tek këto raste, keqbërësit fillimisht arrijnë të kenë qasje në kompjuterin e biznesit (pronarit apo ndonjë kompjuter që posedon të dhëna për transaksionet financiare), monitorojnë dhe njihen me aktivitetet, pastaj në momentin kur fillon të realizohet transaksioni i të hollave ata ndërhyjnë duke ndryshuar të dhënat e xhirollogarisë bankare. Në këtë mënyrë paratë përfundojnë në një bankë tjetër dhe nga aty bëhet tërheqja e tyre nga keqbërësit. “Peshkimi i të dhënave ose Phishing” – Tek këto raste, keqbërësit, duke shfrytëzuar viruse kompjuterike krijojnë linqe të ndryshme dhe të njëjtit i dërgojnë tek viktimat, pastaj posa të klikohet ky link viktimës i kërkohet që të ofroj të dhënat personale të rrjeteve sociale, të dhënat personale bankare, të dhënat e e-mail adresës etj., e gjithë kjo me qëllim të vjedhjes së të dhënave personale dhe më pas keqpërdorimi i tyre për qëllime të ndryshme si: shantazh, ngacmim, vjedhja e identitetit dhe shfrytëzimi për qëllime të ndryshme, pagesa online, etj. “Klonimi i kartelave bankare” – Tek këto raste, të dhënat personale bankare të vjedhura në forma të ndryshme (faqe të rrejshme, përmes pajisjeve “skimming”, etj.) shfrytëzohen për të klonuar kartela bankare dhe pastaj përdoren për blerje dhe pagesa të ndryshme”.

Shqip.com ka pyetur edhe BQK-në nëse kanë pasur ndonjë ankesë nga qytetarët për tërheqje të mjeteve pa dijeninë e tyre, por nga ky institucion kanë njoftuar të mos kenë pranuar ankesa të kësaj natyre.

Çfarë duhet bërë bankat dhe qytetarët për t’u mbrojtur nga vjedhjet?

Profesori universitar, Blerim Rexha, ka thënë për Shqip.com se bankat duhet t’i njoftojnë qytetarët që të mos bien pre e manipulimeve e gjithashtu implementimin e softuerëve të avancuar.

Blerim Rexha – Profesor universitar

“Bankat duhet t’i njoftojnë klientët për procedurat e tyre, ashtu që ata të mos bien pre e manipulimeve nga palët keqdashëse. Njoftimi i klientëve për rreziqet e këtyre transaksioneve dhe ngritjen e alarmeve në rast të transaksioneve të dyshimta. Bankat duhet të implementojnë softuer të avancuar për monitorimin e transaksioneve”, tha Rexha.

Megjithatë, Rexha thotë se edhe qytetarët duhet të kenë njohuri rreth përdorimit të kartelave bankare.

“Qytetarët duhet të kenë njohuri për përdorimin e kartelave bankare dhe të jenë aktiv në përditësimin e njohurive rreth pagesave me kredit kartela. Përmes internetit, qytetarët, klientët e bankës, që nuk kanë njohuri të mjaftueshme për rreziqet e përdorimit të karteleve bankare, mund të bien pre e këtyre sulmeve dhe kështu të iu merren parat nga llogaritë e tyre bankare”.

Në Shoqatën e Bankave të Kosovës kanë thënë për Shqip.com se mashtrimet ndodhin kur përdoruesit lejojnë shpërndarjen e të dhënave të tyre,

“Qytetarët duhet të jenë shumë të vëmendshëm sa i përket shpërndarjes së të dhënave të tyre personale, duke përfshirë këtu edhe ndarjen e informacioneve të kartelës bankare. Mashtrimet me kartela ndodhin vetëm në atë moment kur ne si përdorues, lejojmë shpërndarjen e të dhënave tona pa u siguruar mirë se me kë po e bëjmë ndarjen e tyre, andaj duhet të jemi shumë të vëmendshëm sa i përket këtij fenomeni”, tha Vesa Vuçitërna, zëdhënëse e SHBK-së.

Përkundër rritjes së rasteve, Vuçitërna thotë se bankat janë shumë të sigurta.

“Bankat janë shumë të sigurta sa i përket sulmeve kibernetike, edhe pse sektori bankar ka vlerësuar se po shtohen sulmet kibernetike ndaj bankave deri më tani gjatë vitit 2022 nuk është regjistruar asnjë incident i tejkalimit të sistemeve të sigurisë së bankave. Të gjitha rastet e mashtrimeve që mund të kenë ndodhur gjatë kësaj periudhe kanë qenë mashtrime që janë bërë përmes klientit duke arritur të marrin informacione të ndjeshme drejtpërdrejt nga klienti”.

Tutje, Vuçitërna tha se ata si shoqatë kanë realizuar edhe një anketë në lidhje me sulmet kibernetike, rezultati i së cilës ka treguar se sektori bankarë është më i sigurti në Kosovë.

/Shqip.com