Lajme

Pozhari: Reformat në drejtësi duhet të nisin me shkarkimin e Lumezit

Xhevdet Pozhari, analist politik

Pas publikimit të audio-incizimeve të cilat implikojnë edhe Kryeprokurorin e Shtetit, Aleksandër Lumezi, analisti politik, Xhevdet Pozhari, ka kërkuar shkarkimin e tij, duke thënë se “sistemi i drejtësisë në Kosovë është kalbur nga koka”.

Sipas tij, është shqetësuese që një person me të kaluar kriminale të ketë qasje të lehtë me Kryeprokurorin e Shtetit.

“Reformat duhet të nisin nga shkarkimi i kryeprokurorit. Sigurisht se ka njerëz të mirë e profesionit çdo kund, por në kokë kush është? Sistemi i drejtësisë në vendin tonë është kalbur nga koka. Këtu është problemi, për atë thash që duhet të ndodhin ndryshime rrënjësore deri sa të vjen koha për vetting”, ka thënë Pozhari të enjten mbrëma në emisionin “Debat Plus” në RTV Dukagjini, ku u diskutua për audio-incizimet e publikuara nga Shqip.com.

Pozhari më tej ka theksuar se është po ashtu shqetësuese që “gjatë debatit më shumë është diskutuar për kohën dhe mediumin i cili i ka publikuar audio-incizimet, se sa për pjekurinë e një sistemi të kapur gjyqësor”.

“Ne më së paku jemi duke diskutuar për ato që fliten në audio-incizime. Një njeri me të kaluar kriminale me pas qasje kaq të lehtë te kryeprokurori, kjo është shqetësuese”, është shprehur ai.

Shqip.com ka filluar që nga 30 korriku 2021 publikimin e disa audio-incizimeve ku të përfshirë janë tashmë ish-drejtori i Njësisë së Inteligjencës Financiare, Dardan Nuhiu, prokurorja e krimeve të rënda, Shemsije Asllani, Driton Muharremi, gjyqtar i krimeve të rënda në Gjykatën e Apelit dhe anëtar i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, ndërsa në një nga audio-incizimet përmendet edhe Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi.

Ky i fundit ka pranuar se ka biseduar në telefon me personin audio-incizimet e të cilit janë publikuar nga Shqip.com dhe e ka konfirmuar që bëhet fjalë për Halit Sahitajn.

Klikoni në rubrikën N’shënjestër, për të shikuar të gjitha publikimet në Dosjen “Inteligjenca e Zhvatjes” në mënyrë kronologjike./Shqip.com