Lajme

Politika “gojën plotë” për reforma në drejtësi, por dhunuesit marrin dënime mujore

Ilustrim

Shtatë qeveri janë ndërruar që nga paslufta në Kosovë. Secili nga pushtetarët në përpjekje për ta fituar besim e qytetarëve, ka premtuar angazhim më të madh në sundimin e ligjit dhe luftimin e krimit.

Ditë më parë në Kosovë është hapur “Java për mbrojtjen e viktimave të krimit”. Edhe këtë rast liderët shtetërorë e shfrytëzuan për ta bërë premtimin “klishe” – “Jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me çdo institucion që ka për qëllim sundimin e ligjit”.

Por, derisa qeveritë po ndërrohen rastet e dhunimit po shtohen.

Gratë e kryesisht vajzat e mitura janë bërë “cak” i dhunimeve në Kosovë.

Dy ditë më parë policia njoftoi për dhunimin e një të miture në Mitrovicë, ndërsa rreth një javë më parë, për një 12-vjeçare të dhunuar në Kamenicë.

Në Gjilan, Prizren, Lipjan e Kllokot po ashtu është raportuar për dhunim të vajzave në tre muajt e fundit.

Se rastet e dhunimit janë rritur dukshëm gjatë këtij viti e tregojnë edhe statistikat e Policisë së Kosovës.

Sipas këtyre statistikave të dërguara nga PK-ja për Shqip.com, në vitin 2019 janë raportuar 47 dhunime dhe 5 tentativa.

Në vitin 2020 janë raportuar 13 më shumë – gjithsej 60 dhunime.

Ndërsa, janë gjithsej 79 dhunime të raportuara gjatë këtij viti.

Policia e Kosovës

Cilët janë shkaktarët e kësaj rritje?

Pandemia COVID-19, vetëdijesimi për raportim si dhe dënimet e ulta të shqiptuara nga gjykatat janë disa nga arsyet që sipas Luljeta Demollit, Drejtoreshë Ekzekutive e Qendrës Kosovare për Studime Gjinore, kanë ndikuar në rritjen e këtyre rasteve.

“Është fakt që në Kosovë është rritur krimi gjinor, trafikimi me qenie njerëzore Fillimisht faktori kryesor është pandemia e cila ka shkaktuar edhe faktorë të tjerë dhe ka varfëruar qytetarët”.

“Po ashtu është rritur edhe raportimi i këtyre rasteve për shkak të vetëdijesimit të vajzave dhe grave. Dënimet e ulta ndikojnë shumë në stimulimin e rritjes së këtyre rasteve, mostransparenca në trajtimin e tyre po ashtu”, thotë Demolli për Shqip.com.

Sipas saj, qeveria duhet të jetë më vigjilente dhe të japë përgjegjësi nëse secili institucion është duke e kryer punën si duhet.

“Qeveria do të duhej të angazhohej më shumë; të punonte me shkollat, me institucionet kulturore e shëndetësore”, thekson ajo.

Demolli: "Bashkëpunimi me nivelin lokal i kënaqshëm”
Luljeta Demolli – Drejtoreshë Ekzekutive e Qendrës Kosovare për Studime Gjinore

Dënimi me 8 muaj e 8 ditë burgim për dhunuesin e 15-vjeçares në Pejë

Vetëm me 8 muaj e 8 ditë burgim është dënuar nga Gjykata Themelore në Pejë dhunuesi i një të miture.

Vendimi është para dy muajsh nga gjyqtarja Florie Zatriqi, ndonëse sipas ligjit, dënimi i paraparë për këto raste parashihet të jetë nga 5 deri në 20 vite burgim.

Lexo edhe:
Haxhiu reagon pas vendimit për dënim me 8 muaj e 8 ditë burgim ndaj burrit që dhunoi seksualisht 15-vjeçaren

Përveçse vendim i vonuar – pasi u mor 10 vite pas kryerjes së krimit, dhunuesi nuk është e nevojshme që të dërgohet në burg pasi dënimin e ka vuajtur gjatë kohës së paraburgimit.

Gjatë procesit gjyqësorë në këtë rast, gjyqtarja nuk ka arritur të gjejë as një rrethanë rënduese ndaj kryesit të veprës, ndërkaq ka gjetur 10 rrethana lehtësuese ndaj tij. Ndër to edhe se “viktima gjatë dhunimit nuk kishte pësuar lëndime”.

Derisa ka komentuar këtë vendim të gjykatës, Demolli tha se “gjyqtarja është përgjigjur në mënyrë patriarkale”. Ndaj, ka kërkuar që rasti i saj të sanksionohet dhe të hetohet.

Në anën tjetër, angazhim më të shtuar në trajtimin e rasteve ka kërkuar edhe psikologia Antigona Qenaj-Sejdiu.

Ndonëse nuk ka komentuar vendimin e Gjykatës së Pejës, ka thënë se “dhunuesit ndalen vetëm duke marrë dënimin e merituar”.

“Institucionet duhet të angazhohen më shumë në vetëdijesimin e popullatës për këtë dukuri si dhe të angazhohen më shumë në mbrojtjen e viktimave dhe dënimin e dhunuesve”, pohon Qenaj-Sejdiu në një prononcim për gazetën.

Si ndikon dhuna në aspektin psikologjik?

Problemet me gjumin, makthet gjatë natës, rikujtimi i ngjarjes dhe ankthi e sulmet e panikut, problemet me oreksin, mbyllja në vete e viktimës, largimi nga aktivitet sociale dhe ato ditore – janë disa nga pasojat afatshkurta të dhunimit që përmend psikologia.

Ndërsa, për ato afatgjata, thotë se do ta përcjellin viktimën gjatë gjithë jetës.

Antigona Qenaj-Sejdiu, psikologe

Në Kodin Penal të Kosovës, thuhet se “kushdo që detyron personin tjetër për të kryer akt seksual pa pëlqimin e personit tjetër, dënohet me burgim prej dy deri në dhjet vjet”.

Ndërsa deri në 15 vjet burg, dënohen personat nëse akti është shoqëruar ose përcjellë nga tortura apo trajtimi çnjerëzor, me armë apo mjete të rrezikshëm; dhe kur kryesi i veprës e di që personi është posaçërisht i ndjeshëm për shkak të moshës, aftësive të kufizuara mendore apo fizike, çrregullimit ose shtatzënisë./SHQIP.com