Lajme

Haxhiu reagon pas vendimit për dënim me 8 muaj e 8 ditë burgim ndaj burrit që dhunoi seksualisht 15-vjeçaren

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar pasi Gjykata Themelore në Pejë, ka dënuar me 8 muaj e 8 ditë burgim një burrë për dhunim seksual ndaj një vajze 15-vjeçare.

Haxhiu e ka quajtur vendim “absurd” dhe “të padrejtë”, derisa ka thënë se është e shqetësuar sepse sipas saj, vendime të tilla “motivojnë dhunuesit dhe që dhunojnë për së dyti herë viktimat”.

“Sapo përfundova fjalën në konferencën që i dedikohej viktimave të krimit, u njoftova me lajmin që dhunuesi seksual ndaj vajzës 15 vjeçare qenka dënuar me vetëm 8 muaj e 8 ditë burgim, pa asnjë rrethanë rënduese dhe fatkeqësisht shumë rrethana lehtësuese”, ka shkruar ministrja në profilin e saj në Facebook.

“Jam shumë e shqetësuar në raport me këto vendime absurde të padrejta dhe që motivojnë dhunuesit dhe që dhunojnë për së dyti herë viktimat!”.

Rasti për te cilin u shqiptua ky dënim, ka ndodhur në janar të vitit 2012.

Vendimi është para dy muajsh nga gjyqtarja Florie Zatriqi, ndonëse sipas ligjit, dënimi i paraparë për këto raste parashihet të jetë nga 5 deri në 20 vite burgim.

Gjatë procesit gjyqësorë në këtë rast, raportohet se gjyqtarja nuk ka arritur të gjejë as një rrethanë rënduese ndaj kryesit të veprës, ndërkaq ka gjetur 10 rrethana lehtësuese ndaj tij. Ndër to edhe “rrethanën se viktima gjatë dhunimit nuk kishte pësuar lëndime”./SHQIP.com