Lajme

Policia për plagosjen e policëve në Skënderaj: Dy të dyshuar janë në mbajtje, zhvilluam edhe bastisje

Policia e Kosovës
Policia e Kosovës

Policia e Kosovës ka raportuar se katër persona janë marrë në pyetje rreth plagosjes së dy policëve në Skënderaj në mesnatën e 2 korrikut.

Në raport, Policia nuk ka cekur iniciale të të përfshirëve në incident.

Derisa theksojnë se sulmi ndaj dy zyrtarëve policor ka ardhur pas shqiptimit të gjobës së trafikut.

“Lidhur me rastin janë intervistuar katër të dyshuar meshkuj kosovarë, pasi që të njëjtit pas shqiptimit të një gjobe për kundërvajtje në trafik kanë sulmuar dy zyrtarë policorë. Njëri nga zyrtarët ka pësuar lëndime nga arma e zjarrit, ndërsa zyrtari tjetër nga një mjet i fortë. Viktimat janë dërguar për tretman mjekësor”, thuhet në njoftim.

Policia ka njoftuar se kanë zhvilluar një bastisje ku kanë konfiskuar dëshmi derisa kanë mbetur të paqartë se çka kanë bastisur dhe cilat kanë qenë motivet e bastisjes.

“Në vendin e ngjarjes si dhe gjatë bastisjes nga njësitet policore janë konfiskuar dëshmi/prova materiale”, thuhet në njoftim.

Ilustrim

Ndërsa theksojnë se me vendim të prokurorit, dy persona të dyshuar janë dërguar në mbajtje ndërsa dy të tjerë janë liruar.

Dyshohet se në incident kanë qenë të përfshirë djali e vëllai i ish-nënkryetarit të Skenderajt, Nuredin Lushtakut.

Avokati i djalit të Lushtakut, Durim Osmani ka thënë për SHQIP.com se klienti i tij është liruar pas dhënies së dëshmisë.

“Arbër Lushtaku ka qenë vetëm dëshmitar i ngjarjes. E ka dhënë dëshminë e tij dhe është liruar për në shtëpinë e tij”, tha Osmani për SHQIP.com.

Lexo edhe:
Plagosja e policëve në Skenderaj: Lirohet djali i Nuredin Lushtakut, vëllai i tij ndalohet në paraburgim

Në anën tjetër, burimet e SHQIP.com njoftojnë se Arif Lushtaku (vëllai i Nuredin Lushtakut) është ndalë në paraburgim.

SHQIP.com ka tentuar të marrë përgjigje nga Policia e Kosovës dhe Artan Qerkini, avokat i Nuredin Lushtakut por të njëjtit nuk kanë dhënë ende përgjigje për rastin.

Mbrëmjen e 3 korrikut, Arbër Lushtaku dhe xhaxhai i tij, Arif Lushtaku ishin dorëzuar në Policinë e Kosovës.

Lajmin e kishte konfirmuar për SHQIP.com vetë Nuredin Lushtaku..

Lexo edhe:
Lushtaku: Djali dhe vëllai im janë dorëzuar në Stacion të Policisë në Prishtinë

“Kjo informatë nuk është e saktë. Vëllai dhe djali im janë dorëzuar në stacionin policor në Prishtinë” – tha ai duke u treguar i rezervuar për të dhënë detaje tjera rreth dorëzimit të tyre./Shqip.com