Lajme

Lushtaku: Djali dhe vëllai im janë dorëzuar në Stacion të Policisë në Prishtinë

Nuredin Lushtaku

Arbër Lushtaku, djali i Nuredin Lushtakut bashkë me xhaxhain e tij Arif Lushtakun (vëllai i Nuredin Lushtakut) janë dorëzuar në stacionin e Policisë në Prishtinë.

Kështu ka thënë për SHQIP.com, vetë Lushtaku, duke shuar raportimet në media se djali dhe vëllai i tij janë arratisur në Shqipëri.

“Kjo informatë nuk është e saktë. Vëllai dhe djali im janë dorëzuar në stacionin policor në Prishtinë” – tha ai duke u treguar i rezervuar për të dhënë detaje tjera rreth dorëzimit të tyre.

Megjithatë, nga Policia e Kosovës ende nuk ka ndonjë konfirmin rreth dorëzimit të tyre.

Në mesnatën e 2 korrikut, ka ndodhur një përleshje fizike në Skenderaj e cila më pas ka agravuar në gjuajtje me armë zjarri e mjete të forta. Nga kjo përleshje, të plagosur kanë mbetur dy zyrtarë të Policisë të Kosovës.

Në këtë incident dyshohet të jetë i përfshirë edhe ish-nënkryetari i Skenderajt, Nuredin Lushtaku.

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, duke sqaruar rrjedhën e incidentit tha se me të shqiptuar një gjobë për të birin e tij, njëri nga policët ka ushtruar dhunë fizike ndaj Arbër Lushtakut.

“Polici Enver Smakiqi pasi ka shqiptuar një gjobë ka vazhduar duke maltretuar fizikisht djalin tim Arberin. Unë kam qenë duke u kthyer në shtëpi me dy vëllezërit e mi dhe e kam parë djalin me veturë ndalur, ku jemi ndalur të shikojmë se çka është problemi. Polici Enver Smakiqi ka filluar konflikt me vëllain tim Fatonin, pastaj ky polic ka nxjerrë armën të cilën ka shkrepur dy plumba, të cilë kanë shkuar huq”.

“Por fatkeqësisht plumbi i tretë ka goditur në këmbë policin Geci. Fatoni dhe vëllezërit e mi kanë reaguar në vetëmbrojtje, ndërsa unë gjatë tërë kohës jam munduar të evitoj konfliktin. Polici Enver Smakiqi ishte jashtë kontrollës, ku për pasojë mbrëmë kemi qenë në rrezik të na vriste të gjithëve neve dhe kolegët e tij”, ka thënë Lushtaku.

I pyetur nga SHQIP.com se a ka pas ndonjë konflikt të mëhershëm me ndonjërin prej policëve, Lushtaku ka zgjedhur të heshtë.

Megjithatë, Lushtaku ka shtuar se “nuk është ky rasti i parë që polici Enver Smakiqi shfaq dhunë dhe forcë fizike ndaj qytetarëve”.

Për këtë rast, Shqip.com ka kontaktuar avokatin e Lushtakut, Artan Qerkini.

Artan Qerkini

Qerkini ka thënë se nuk rëndon ndonjë dyshim që është përdorur armë zjarri nga ana e Lushtakut.

“E kam takuar zotërinë Lushtaku, ai është liruar në procedurë të rregullte, mbi të nuk rëndon dyshimi që është përdorur arma e zjarrit gjatë incidentit në fjalë” ka thënë ai.

Nga Policia e Kosovës kanë konforuar se njëri polic është plagosur me armë zjarri në këmbë dhe tjetri është lënduar nga mjetet e forta, për çka janë arrestuar dy persona dhe dy të tjerë janë në kërkim.

Inspektorati Policor kanë bërë të ditur se deri tani nuk ka asnjë polic të dyshuar për incidentin e së shtunës mbrëma në Skenderaj dhe se hetimet do të vazhdojnë nga Policia e Kosovës.

“Inspektorati Policor i Kosovës, respektivisht hetuesit e Departamentit të hetimeve, janë njoftuar lidhur me këtë incident. Pas njoftimit të njëjtit kanë dalë në vendin e ngjarjes ku ka qenë edhe prokurori kujdestar. Pas konsultimeve me prokurorin kujdestar, ju njoftojmë së në këtë fazë hetimet lidhur me këtë incident do t’i vazhdojë Policia e Kosovës. Në bazë të veprimeve hetimore dhe pas konsultimeve me prokurorin kujdestar në këtë rast, deri në këtë fazë të hetimeve nuk ka ndonjë zyrtar policor të dyshuar”, thuhet në përgjigjen e Inspektoratit të Policisë.

Po ashtu, ka reaguar edhe ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla.

Sveçla përmes një reagimi në Facebook, e ka quajtur të patolerueshëm sulmin ndaj dy zyrtarëve policorë të cilët janë plagosur mesnatën e së shtunës në Skenderaj.

Xhelal Sveçla, ministër i Punëve të Brendshme

Sveçla i cili aktualisht ndodhet për vizitë zyrtare në Bruksel, ka thënë se “policët në ushtrimin legjitim të detyrave publike duhet të jenë paprekshmërisht të papenguar”.

Lexo edhe:
Sveçla reagon pas sulmit ndaj policëve në Skenderaj: Ngjarje e patolerueshme, është sulm ndaj Republikës

“Sot publiku i gjerë në Kosovë ishte dëshmitar i një sulmi të paprovokuar dhe të rëndë ndaj institucionit të Policisë. Policët e Republikës së Kosovës në ushtrimin legjitim të detyrave publike duhet të jenë paprekshmërisht të papenguar. Ata janë emri konkret i rendit publik. Nuk mund të kemi edhe Republikë edhe mungesë rendi. Ngjarja e sotme përveçse është e pa tolerueshme ligjërisht e moralisht përbën po ashtu sulm për rendin e Republikës”, ka shkruar Sveçla në “Facebook”.

Sveçla tha se pret që organet e drejtësisë të marrin masa sipas ligjeve në fuqi ndaj sulmuesve.

Ai shtoi se sapo të kthehet nga udhëtimi zyrtar në Bruksel do të vizitojë zyrtarët policorë./Shqip.com