Lajme

Për Qendrën e Pleqve ku u sulmua e moshuara kishte ankesa edhe një vit më parë

Në Qendrën e Pleqve “Orenda” në Pejë ku ndodhi sulmi ndaj të moshuarës thuhet se ka pasur ankesa në lidhje me sjelljen e infermiereve.

Për Kallxo.com, një qytetar ka pretenduar se për sjelljen e pahijshme të infermierëve i ka informuar Ministrinë e Shëndetësisë dhe Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Qytetari Tomor Hasani ka thënë ketë ankesë drejtë Ministrisë e ka dorëzuar qysh me 20 shtator të vitit 2021

“Aty ka qenë e vendosur halla e babait tim. Herën e parë që është anku, është data kur e kam shkru emailin. Ka qenë diku me 21 shtator 2021, atë ditë kanë qenë në vizitë gjyshi dhe gjyshja ime te zonja, edhe kur kanë fillu me bisedu ajo ka fillu me qajtë edhe ka tregu sjelljet e pahijshme që i kanë pasë ato infermieret” – ka rrëfyer Hasani për KALLXO.com.

“Me të tregu drejt për keqtrajtim fizik nuk ka thënë kurrgjë, por tash nuk e di a ka qenë prej frike apo përnjëmend nuk ka pasë. Unë atë ditë e kam marrë lajmin prej gjyshit dhe gjyshes dhe kam vendosur me i shkru Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, e që nuk jam marr parasysh” – shton ai.

Por, Hasani ka thënë  se ai nuk ka pranuar përgjigje nga ministria por është kontaktuar nga Anton Rasaj, aksionar i qendrës për përkujdes për të moshuarit “Orenda” në Pejë. 

“Kam marr veç një përgjigje prej drejtorit të asaj rezidencës, i cili në mënyrë qortuese më thotë se pse në mënyrë të njëanjshme i ke dërguar email Ministrisë, nuk na ke tregu neve” – pretendon Hasani. “Domethënë si duket drejtori e ka marrë vesh, ose ia ka përcjellë Ministria emailin të cilin e kam çu unë në Ministri edhe domethënë përgjigjen e kam marrë direkt prej tij, jo prej Ministrisë. Ai më ka thënë në mënyrë qortuese ‘pse ti nuk ke lajmëru tek ne por në ministri’”.

Para se t’ia dërgonte ankesën Ministrisë  për Punë dhe Mirëqenie Sociale, ai ishte ankuar te Ministria e Shëndetësisë. Të njëjtit i kishin rekomanduar të drejtohej te Ministria e Punës.

“Por ata ma kanë kthy emailin dhe më kanë thënë që nuk na takon neve por i takon Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale”.

Hasani nuk e ka raportuar rastin në Policinë e Kosovës për shkak se, sipas tij, më pas familjarët e të moshuarës janë marrë me rastin. Ai ka thënë se Anton Rasaj ka bërë presion te familjarët e zonjës për të tërhequr ankesën që ishte dërguar në Ministri. 

“Anton Rasaj iu ka bërë presion fëmijëve të zonjës, që me më bind mua me e tërheq atë email me thanë kishe kam qenë i keqinformum, se ata jetojnë në Finlandë e nuk munden me e marrë zonjën atje e nuk kanë pasë ku me e çu. Kështu kanë qenë në presion edhe ata, janë mendu me e tërheqë ankesën, por nuk e kam tërheqë”.

Qendra “Orenda” ka bërë një postim përtë demantuar ndaj Tomorit.

Ky demantim mban emrin dhe mbiemrin e djalit të zonjës për të cilën Tomor Hasani pretendon se është përballur me sjellje të pahijshme në qendrën “Orenda”.

“Unë Driton.D, i biri i M.D, banore e ‘Orendës’ jam informuar se një i afërm i imi me të cilin nuk kam asnjë kontakt, i cili kurrë nuk ka vizituar nënën time, paska bo një ankesë se gjoja infermieret e ‘Orendës’ nuk qenkan sjellë mirë me nënën time. Ne, fëmijët e vizitojmë shumë shpesh nënën dhe kurrë nuk kemi pasur vërejtje në këtë institucion. Gjithashtë vlen të theksohet se nëna kurrë nuk është ankuar për shërbimet dhe trajtimin në Orenda. Pra ne si familje jemi shumë të kënaqur me shërbimet e kësaj qendre”- thuhet në reagimin e publikuar.

“Kur kemi marrë informatën për ankesën dhe deklaratën, jemi shokuar. E kam kontaktuar personin në fjalë dhe kam kërkuar me e tërheq deklaratën e cila është e pa vërtetë dhe e pa bazë. Ai ka refuzuar me këmbëngulje. Andaj unë Dritoni dhe familja D. e konsiderojmë ankesën e bërë nga Tomor Hasani si të pavërtetë dhe të dëmshme” – thuhet tutje në reagim.

Por, në emailin e Tomor Hasanit, të cilin e ka KALLXO.com, nuk përmenden emra specifikë të pacientëve.

Gjykata Themelore në Pejë ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh ndaj tri infermierve të dyshuara në rastin e sulmit ndaj të moshuarës në Shtëpinë e Pleqve në Pejë.

Gjykata cakton masën e paraburgimit ndaj tri infermiereve në rastin e të moshuarës – SHQIP.com

Kujtojmë se Oda e infermierëve të Kosovës ka njoftuar se ua ka hequr licencat e punës katër infermiereve të cilat ishin të përfshira në rastin e sulmit ndaj të moshuarës në Shtëpinë e të Moshuarve “Orenda” në Pejë.

U hiqet licenca katër infermiereve për sulmin ndaj të moshuarës – SHQIP.com

Në pamjet e shpërndara në rrjetet sociale, një infermiere në rezidencën e të moshuarve Orenda, në Pejë, mban gruan nga duart dhe e godet disa herë me shuplakë.

Në video shihen edhe dy infermiere të tjera dhe një tjetër po e filmon – e cila dëgjohet duke qeshur me të madhe teksa kolegia e saj sulmon gruan e moshuar. 

E moshuara duket se është në gjendje të rëndë, pasi është sulmuar nga infermieria.

Pas rastit, Policia e Kosovës, ka arrestuar tri infermieret që ishin të përfshira në sulm.

/Shqip.com