Lajme

Gjykata cakton masën e paraburgimit ndaj tri infermiereve në rastin e të moshuarës

Gjykata Themelore në Pejë ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh ndaj tri infermierve të dyshuara në rastin e sulmit ndaj të moshuarës në Shtëpinë e Pleqve në Pejë.

Lajmin për Shqip.com e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Pejë, Tringa Zhuti.

Zhuti tha se është aprovuar kërkesa e Prokurorisë Themelore në Pejë.

“Ju njoftojmë se me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Pejë është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh ndaj tri të dyshuarave lidhur me rastin në fjalë”, tha Zhuti.

Prokuroria kërkon 30 ditë paraburgim për infermieret që sulmuan të moshuarën në Pejë – SHQIP.com

Sipas zëdhënësit të Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikqit, kërkesa e prokurorisë ka ardhur duke u bazuar në dyshimin se të dyshuarat mund të ndikojnë në devijimin e procesit gjyqësor.

“Realisht ka prova të mjaftueshme të cilat bëjnë dyshimin e bazuar mirë që trijat kanë kryer veprën penale në bashkëkryerje. Njëra prej tyre ka kryer veprën penale sulm ndërkaq, e pandehura e dytë ka kryer veprën penale dhënja e ndihmës në kryerjen e veprës penale sulmi ndërsa, e pandehura e tretë ka kryer veprën penale ‘fotografimi apo incizimi. Po ashtu, ekziston dyshimi i arsyeshëm që duhet të sigurohet prezenca e të pandehurve në procedurë penale dhe hetimet të mospengohen për shkak që të mosketë ndikime në dëshmitarë, të mosketë deklarata të koordinuara që mund ta pengojnë procesin hetimor”.

Zëdhënsi i prokurorisë në Pejë, tha se janë duke hetuar nëse ka ndonjë rast të mëhershëm të ngjashëm në atë institucion.

Ndërsa, për viktimën, Nikqi tha se kanë angazhuar një neuropsikiatër për të parë gjëndjen shëndetësore të saj lidhur me mundësin e deklaratës.

Kujtojmë se Oda e infermierëve të Kosovës ka njoftuar se ua ka hequr licencat e punës katër infermiereve të cilat ishin të përfshira në rastin e sulmit ndaj të moshuarës në Shtëpinë e të Moshuarve “Orenda” në Pejë.

U hiqet licenca katër infermiereve për sulmin ndaj të moshuarës – SHQIP.com

Në pamjet e shpërndara në rrjetet sociale, një infermiere në rezidencën e të moshuarve Orenda, në Pejë, mban gruan nga duart dhe e godet disa herë me shuplakë.

Në video shihen edhe dy infermiere të tjera dhe një tjetër po e filmon – e cila dëgjohet duke qeshur me të madhe teksa kolegia e saj sulmon gruan e moshuar. 

E moshuara duket se është në gjendje të rëndë, pasi është sulmuar nga infermieria.

Pas rastit, Policia e Kosovës, ka arrestuar tri infermieret që ishin të përfshira në sulm.

/Shqip.com