Lajme

Pas hulumtimit të Shqip.com, Ministria e detyron “Matkos”-in ta kthejë rrugën siç ka qenë

Pas hulumtimit të Shqip.com, që shpërfaqte shkeljet ndaj shtetit nga kompania “Matkos”, Ministria e Ambientit dhe Infrastrukturës, e ka detyruar këtë kompani ta kthejë rrugën në gjendjen e mëparshme.

Shqip.com kishte treguar se si “Matkos”, kishte futur gypat f500 në rrugën Brezovicë-Qendra e Skijimit për ta ndërtuar një hidrocentral, duke dëmtuar rrugën dhe nuk e kishte kthyer në gjendjen siç edhe e parasheh ligji, ashtu siç ishte.

Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durimishi, e ka konfirmuar për Shqip.com se rruga është asfaltuar dhe është kthyer siç ka qenë.

Lexo edhe:
Kërkesa e Pal Lekajt që të shkelet ligji për kompaninë “Matkos” që ta shkatërronte rrugën me letra

Durimishi ka treguar se “Matkos”, për një kohë të gjatë nuk i ishte përgjigjur ministrisë në kërkesat për ta kthyer rrugën në gjendjen e mëparshme.

“Më në fund, e kanë rregulluar vetë ata sepse është dashur ta kthejnë në gjendjen e mëparshme. Ne kemi pas zhvilluar disa ide që, për shkak se një kohë të gjatë nuk u janë përgjigjur emailave, nëse nuk përgjigjen ta bëjmë me ndonjë operator tjetër ekonomik rregullimin e rrugës dhe që ata ta rregullojnë komplet pjesën që ta kthejnë në gjendjen e mëparshme. Me gjasë i ka marrë këto informata dhe ka intervenuar menjëherë dhe e kanë kthy rrugën komplet në gjendjen siç ka qenë më përpara”, ka thënë Durmishi për Shqip.com

Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durimishi

Zëvendësministri është ndarë i kënaqur me punën që e ka kryer “Matkos”, por thotë se gypat janë çështje tjetër.

“Komplet puna domethënë, kthimi në gjendjen e mëparshme është bërë nën mbikëqyrjen e menaxherit të kontratës që ka qenë për komplet projektin. Për pjesën e rrugës nuk ka lënë ndonjë mangësi matkos-i, por për pjesën e gypave është çështje që ka ndodh në të kaluarën janë bërë disa pranime prej mbikëqyrjes që ka qenë atëherë”.

Por, “Matkos”, sipas Durmishit, nuk do të shpëton pa e dërguar në gjykatë.

“Shkeljet që janë bërë do të marrim masa dhe t’i dërgojmë në gjykatë e prokurori dhe do të shohim nëse ka raporte të inspektoratit në mënyrë që ato t’i dërgojmë pastaj për hetime të mëtutjeshme”.