Lajme

Pas hulumtimeve të Shqip.com edhe ZKA publikon parregullsitë në punimet në rrugë Dollc – Gjakovë

Rruga Dollc - Gjakovë

Zyra e Kombëtare e Auditorit ka publikuar parregullsitë që janë gjetur gjatë kohës së realizimit të punimeve në rrugën Dollc – Gjakovë.

Sipas ZKA-së, në projektin “Zgjirimi i Rrugës Nacionale N9.1 segmenti Dollc – Gjakovë” nuk ishin realizuar sipas planit.

“Projeki “Zgjerimi i Rrugës Nacionale N9.1 segmenti Dollc Gjakovë, pjesa 1, kontrata në vlerë 5,076,875€, ishte nënshkruar me dt. 11.03.2019, në kohëzgjatje tri vite .Vlera e punëve të realizuara deri në fund të vitit 2021 ishte 1,690,375€ ose 29% e vlerës së kontraktuar; Projekti “Dollc Gjakovë” pjesa 3, kontrata e nënshkruar me dt. 09.07.2019 në vlerë 5,343,111€, në kohëzgjatje tri vite. Vlera e punëve të realizuara deri në fund të vitit 2021 ishte 1,848,842€ apo 33% e vlerës së kontraktuar”, thuhet në gjetjet e ZKA-së.

Në vitin 2018, Qeveria Haradinaj inicioi projektin e rrugës Dollc-Gjakovë në vlerë të 57 milionë eurove, pa i plotësuar kriteret.

Lexo edhe:
Tenderët publik, mjet për fuqizim të partisë 01.06.2022

Nga hulumtimi i gazetarëve të Shqip.com rezulton se zgjerimi i rrugës nisi pa pasur një projekt final, u përcjell me shkelje procedurash e po ashtu edhe shkelje ligjore.

Shqip.com gjithashtu kishte raportuar se në korrik të vitit 2018, Ministria e Infrastrukturës në krye me Pal Lekaj, mori vendim për destinimin e 57 milionë eurove në rrugën Dollc- Gjakovë.

Lexo edhe:
57 milionë euro për rrugën Dollc-Gjakovë që u nis pa studim fizibiliteti

Nga rrugë me dy korsi, me projektin e ri u parapa të bëhej me katër.

Kur sugjerohen investime për projekte kapitale, atëherë duhet bërë një studim fizibiliteti, i cili tregon nëse investimi vlen apo jo të bëhen, pasi në pyetje janë miliona.

Zyra e Auditorit të Kosovës ka gjetur se kompania projektuese kishte pranuar gabimet/devijimet në projekt, mirëpo nuk kishte marrë ndonjë veprim shtesë në lidhje me verifikimin dhe përcaktimin e punëve shtesë, duke ja lënë përgjegjësinë menaxherit të projektit.

Sipas ZKA-së, kjo ka ndodhur pasi që kompania projektuese kishte dorëzuar projektet duke mos përfillur kërkesat e përgjithshme të parametrave Teknik të kontratës, po ashtu komisioni i pranimit nuk ishte siguruar se projektet përmbushin të gjitha kushtet për pranim.

Pas të gjitha këtyre hulumtimeve të publikuar nga ana e Shqip.com lidhur me rrugën Dollc-Gjakovë, Prokuroria e Shtetit ka nisur hetimet.

Lexo edhe:
Prokuroria nis hetimet pas raportimit të Shqip.com për shkeljet në projektin Dollc-Gjakovë

Kjo është bërë e ditur në një përgjigje për Shqip.com nga Prokuroria e Shtetit, të cilët kanë thënë se kanë filluar procedurën e verifikimit dhe hetimit për të gjitha shkrimet e publikuara ditëve të fundit në media lidhur me rastet e dyshuara për korrupsion./Shqip.com