Lajme

Prokuroria nis hetimet pas raportimit të Shqip.com për shkeljet në projektin Dollc-Gjakovë

Ilustrim

Pas një hulumtimi të publikuar nga ana e Shqip.com lidhur me rrugën Dollc-Gjakovë, Prokuroria e Shtetit ka nisur hetimet.

Kjo është bërë e ditur në një përgjigje për Shqip.com nga Prokuroria e Shetit.

“Prokurori i Shtetit njofton opinionin publik se ka filluar procedurën e verifikimit dhe hetimit për të gjitha shkrimet e publikuara ditëve të fundit në media lidhur me rastet e dyshuara për korrupsion” thuhet në përgjigjen e Prokurorisë për Shqip.com

Në korrik të vitit 2018, Ministria e Infrastrukturës në krye me Pal Lekaj, mori vendim për destinimin e 57 milionë eurove në rrugën Dollc- Gjakovë. Nga rrugë me dy korsi, me projektin e ri u parapa të bëhej me katër.

Por, duke ditur se fizibiliteti do ta mohonte nevojën për këtë investim, atëherë ministria shkeli ligjin duke ndarë fonde, hartuar projektin e zbatuar atë pa këtë studim.

Këtë e pranon edhe kryetari i Komisionit mbikëqyrës, Hysen Merovci, i cili tregon se rruga nuk i plotëson as për së afërmi kriteret për të qenë me katër korsi.

Ndërsa Ish-ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, i cili edhe është nga Komuna e Gjakovës, hedh poshtë faktin se ka shkelur ligjin kur ka nisur rrugën Dollc-Gjakovë pa studim fizibiliteti në vlerë prej 57 milionë euro.

Nëse ligji është shkelur, Lekaj përgjegjës e bën drejtorin e Infrastrukturës, Ramë Qupevën.

Shqip.com ka provuar të marrë një përgjigje për këtë edhe nga Qupeva, por i njëjti me arsyetimet se duhet të marrë aprovimin e sekretarit, nuk ka pranuar të flas./Shqip.com