Lajme

Osmani për vrasjen e 18-vjeçares: Të gjenden e të dënohen përgjegjësit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar për vrasjen makabre të 18-vjeçares në Ferizaj, e cila u dërgua dhe u la e vdekur në emergjencësn e këtij qyteti të dielën e 22 gushtit, njofton Shqip.com.

Osmani me anë të një reagimi publik në rrjetet e saj sociale, bëri thirrje te secili qytetar që të bashkëpunojë me organet e rendit dhe ligjit në gjetjen e vrasësit të viktimës nga Ferizaj.

Lexo edhe:
Prokuroria e Ferizajt jep detaje për tragjedinë e 18 vjeçares

“Për vajzën 18- vjeçare që e vranë në Ferizaj duhet të ketë drejtësi. Vetëm drejtësia e dënimi për ata që po i kryejnë këto krime makabre ndaj grave e vajzave të Kosovës mund të ndryshojë situatën e trishtë të pabarazisë me të cilën përballemi sot në Kosovë”, është shprehur ajo.

“Ne nuk mund të heshtim apo të vazhdojmë të lejojmë trajtimin e këtyre rasteve si çështje familjare. Jemi dëshmitarë të vrasjeve si rezultat i shmangies nga ligji të dhunuesve, ndaj kjo situatë duhet të marrë fund. Si Presidente e vendit i bëjë thirrje secilit qytetar që të bashkëpunojë me organet e rendit dhe ligjit në gjetjen e vrasësit të viktimës nga Ferizaji. U bëjë thirrje të gjitha institucioneve përgjegjëse që të punojnë fort dhe pandërprerë derisa kryesit e veprave të tilla të gjenden prapa grilave”.

Osmani mes tjerash ka thënë se dhuna ndaj vajzave dhe grave kërcënon paqen teksa familjarëve, miqve dhe gjithë shoqërisë së vajzës u ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta.

“Dhuna ndaj vajzave e grave kërcënon paqen për të gjithë dhe mirëqenien e përgjithshme, por shoqëria jonë duhet të jetë e palëkundur dhe e vendosur në eliminimin e të gjitha formave të diskriminimit e dhunës ndaj vajzave e grave”.

“Familjarëve, miqve dhe gjithë shoqërisë së vajzës së ndjerë u shprehu ngushëllime të sinqerta! Shpirti i saj do të pushojë në paqe atëherë kur të ketë drejtësi. Drejtësinë ua kemi borxh secilës vajze e gruaje që përjetoi dhunën nga ata që po marrin jetë e po i ikin përgjegjësisë” ka shkruar Osmani në Facebook.

Prokuroria e Ferizajt është deklaruar nëpërmjet një konference për shtyp, lidhur me vrasjen e rëndë të ndodhur në Ferizaj.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Shukri Jashari, tha se rasti ka ndodhur në banesë – në dhomë, ndërsa dy persona të dyshimtë e kanë dërguar viktimën në spital.

Sipas tij, Dardan Krivaqa, i dyshuari për vrasjen e 18 vjeçares, shumë shpejt do të arrestohet, duke theksuar se “nuk kanë informacionet se ka dalë jashtë kufijve të Kosovës”.

Ai po ashtu theksoi se nuk ka informacione se vajza po bashkëjetonte me forcë me të dyshuarin.

Të dielën disa persona e dërguan të vdekur në Spitalin Rajonal të Ferizajt, një 18 vjeçare me inicialet M.O.

Vetura me të cilën u larguan nga vendi i ngjarjes ishte me tabela zvicërane. /Shqip.com