Lajme

Osmani bën homazhe në Prekaz: Adem Jashari është hero i dinjitetit tonë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka bërë homazhe në varrezat e familjes Jashari në Prekaz.

Përmes një postimi në Facebook, Osmani ka thënë se komandanti legjendar, Adem Jashari është hero i dinjitetit tonë.

“Adem Jashari është hero i dinjitetit tonë! Ai është i gjallë”, shkroi Osmani.

Osmani tha se në ditëlindjen e Adem Jasharit u përulën para varrit të tij dhe familjarëve.

“I vendosur, guximtar e luftarak. Ky është komandanti legjendar i UÇK-së, Adem Jashari. Në shënimin e ditës së lindjes, u përulëm para varrit të tij dhe familjarëve, të cilët u bën fli për lirinë tone”, shkroi Osmani.

Presidentja e shtetit e përshkruan 28 nëntorin si një ditë me tri data historike.

Me këtë datë, Shqipëria mbushi 110 vjet që nga pavarësia e saj e shpallur me 1912 nga Ismail Qemaili në Vlorë.

Po ashtu, sot u mbushën 25 vjet që nga dalja e parë publike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Llaushë të Skenderajit në krye me komandantin Adem Jasharin i cili kishte lindur në po të njëjtën dite.

Kujtojmë se në nder të festës kombëtare, dje Kuvendi i Kosovës dhe ai i Shqipërisë mbajtën mbledhjen e parë të përbashkët.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca tha se 28 Nëntori mbanë në gjirin e vet të gjitha ëndrrat tona kolektive.

Dy kryekuvendarët shqiptarë mbajnë fjalimet e tyre në mbledhjen e përbashkët – SHQIP.com

Konjufca potencoi se Nëntori është i Shqipërisë po aq sa është edhe i Kosovës.

Ndërsa, kryekuvendarja shqiptare, Lindita Nikolla tha se kjo mbledhje shënon rikonfirmimin e thirrjes shpirtërore të vëllazërimit Shqipëri-Kosovë.

Ajo potencoi se mënyra e të mënduarit të shqiptarëve duhet të ndryshojë në bazë të realitetit në të cilin ndodhen.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se Kosova dhe Shqipëria duhet të jenë më shpesh bashkë dhe jo vetëm në kremte.

Mbledhja e kuvendeve shqiptare, Kurti e Rama mbajnë fjalimet e tyre – SHQIP.com

Në këtë mbledhje, Kurti citoi edhe fjalë nga profesori dhe politologu Kosovar, Ukshin Hoti.

“Ai kërkoi nga politikanët shqiptarë që të kenë si prioritet kryesor pozitën  ndërkombëtare të Kosovës e të Shqipërisë dhe jo pozitën vetjake”, tha Kurti.

Kurse, kryeministri shqiptar, Edi Rama tha se nuk beson që shqiptarët janë mirë në raport me vetën e tyre.

/Shqip.com