Lajme

Dy kryekuvendarët shqiptarë mbajnë fjalimet e tyre në mbledhjen e përbashkët

Kryekuvendari i Kosovës, Glauk Konjufca dhe homologia etij shqiptare, Lindita Nikolla

Është duke u mbajtur mbledhja e përbashkët e Kuvendit të Kosovës dhe atij të Shqipërisë me rastin e festës kombëtare të 28 nëntorit.

Në fjalimin e tij në këtë mbledhje, kryekuvendari i Kosovës, Glauk Konjufca përshëndeti të gjithë shqiptrët anë e mbanë botës duke ju thënë se i kanë në zemër.

“Le t’i përshëndesim së bashku e ngrohtësisht nga këtu të gjithë shqiptarët në Kosovë e në Shqipëri, në Maqedoni të Veriut e në Mal të Zi, në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, në Greqi e në Itali, në Gjermani e në Zvicër, në ShBA e çdokund ku ata jetojnë. Ne jemi këtu e ju jeni me ne, e ne ju kemi në zemër”, tha Konjufca.

Kryekuvendari i Kosovës tha se festa e 28 Nëntorit i mbanë në gjirin e vet të gjitha ëndrrat kolektive.

“28 nëntori i mbanë në gjirin e vet të gjitha ëndrrat tona kolektive, por edhe aspiratat e përbashkëta, mundin dhe përpjekjen e gjatë për liri si dhe dashurinë e madhe për kombin tonë. Kjo ditë e ka krejt simbolikën e vet të nevojshme, për të na i mbajtur gjallë emocionet më të thella, krenarinë më të lartë, gatishmërinë më të vendosur dhe kujtimet tona më të çmuara”, tha Konjufca.

Krahas kësaj, Konjufca tha se Serbia po lufton Kosovën nga brenda dhe jashtë.

“Bota sot është më e pasigurt se dje për shkak të sulmit të Rusisë mbi Ukrainën e cila e synon NATO-n dhe BE-në. I vetmi shtet në mes të Evvropës që mbetet i lidhur me Rusinë sot është Serbia. Serbia nuk e fsheh aspak qëllimin e saj – destabilizimin e Kosovës dhe ndarjen faktike të shtetit tonë. Serbia na lufton brenda dhe jashtë, pa zgjedhur mjete, prej diplomacisë e deri te financimi dhe kontrollimi i grupeve kriminale brenda vendit tonë”.

Konjufca tha se festa e 28 Nëntorit është e Shqipërisë po aq sa është edhe e Kosovës.

“28 nëntori është i Shqipërisë po aq sa është i Kosovës, meqë është i të gjithë shqiptarëve. Historia jonë kombëtare është sikur një substancë e vetëdijshme e cila shpaloset përmes 28 nëntorit. Pikërisht në këtë ditë, lindi edhe heroi i madh i Shqiptarisë, Adem Jashari”.

Kryekuvendari kosovar tha se sa më afër që janë me njëra-tjetrën këto dy shtete, aq më lehtë do të jetë mbrojtja e interesave të kombit.

Sa më afër njëra-tjetrës Shqipëria me Kosovën, aq më lehtë do të jetë për t’i mbrojtur interesat jetike të kombit tonë. Ne do të mund të shënojmë arritje të radhës si komb vetëm nëse e kombinojmë, mençurinë e Ukshin Hotit, atdhedashurinë e Adem Demaçit, maturinë e Fehmi Aganit, përgatitjen e Gazmend Zajmit dhe mendjemprehtësinë e Arbën Xhaferit. Vazhdimisht duket t’i lexojmë ata, sepse mendimi i tyre politik është shumë i vlefshëm për orientimin  në rrethanat e reja të shekullit XXI”.

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla tha se kjo mbledhje shënon rikonfirmimin e thirrjes shpirtërore të vëllazërimit Shqipëri-Kosovë.

“Sot, kjo orë e shënuar, që përmes emocioneve jo të përditshme rikonfirmon thirrjen shpirtërore të një kombiqëndrim, atë të vëllazërimit Shqipëri-Kosovë, në vigjilje të 28 nëntorit, ditës themeluese të pavarësisë dhe shtetit të shqiptarëve. Kumti i saj na mbushë me ndjenja të fisme e identifikuese, të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen i mbushë me krenari”, tha Nikolla.

Nikolla tha se mënyra e të menduarit të shqiptarëve duhet të ndryshojë në bazë të realitetit.

“Mënyra e të menduarit të shqiptareve duhet të ndryshojë në përputhje me realitetin e ri gjeopolitik dhe pozitën tonë në këtë realitet të ri. Në jo pak raste ne mendojmë në kushtet e barrierave dhe pengesave të dikurshme”.

Krahas kësaj, Nikolla tha se Kosova dhe Shqipëria duhet të punojnë që kufijtë shtetërorë në mes tyre dhe vendeve fqinje të shndërrohen vetëm në kufijë formal.

“Kosova dhe Shqipëria si dy entitetet politike të shqiptarëve në Ballkan me aspiratë integrimin evropian duhet të bashkëndajnë përgjegjësi për të materializuar vullnetin e shqiptarëve për t’I shndërruar kufijtë shtetëror në mes dy vendeve dhe kufijtë shtetërorë me vendet fqinjë në kufinjë formal”.

Kujtojmë se Kuvendi i Kosovës dhe ai i Shqipërisë për herë të parë janë duke e mbajtur mbledhjen e përbashkët.

/Shqip.com