Lajme

Mbledhja e kuvendeve shqiptare, Kurti e Rama mbajnë fjalimet e tyre

Sot është mbajtur mbledhja e parë e përbashkët në mes Kuvendit të Kosovës dhe Shqipërisë.

Në këtë mbledhje, të pranishëm ishin edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ai i Shqipërisë, Edi Rama.

Kurti tha se Shqipëria dhe Kosova duhet të jenë më shpesh bashkët dhe jo vetëm në kremte.

“Duhet të gëzohemi kur përfshihemi sa më shumë në çështjet publike të njëri-tjetrit jo për të penguar por për të kontribuar. Hapësira jonë publike, politika, kultura, ekonomia nuk janë çifligje të bllokuara me tapi për e përbashkëta kalaja ku e vënë të gjithë nga një gurë. Na duhet të jemi më shpesh bashkë dhe jo vetëm në kremte e jo vetëm ne politikanët, na duhet të punojmë bashkë, të ndajmë ide me njëri-tjetrin t’i pranojmë perspektivat e ndryshme e kritikat e njëri-tjetrit, pra të punojmë se bashku”, tha Kurti.

Në fjalimin e tij, Kurti citoi edhe fjalë nga profesori dhe politologu kosovar, Ukshin Hoti.

“Teksa në Evropën Lindore po vinte demokracia, teksa Muri i  Berlinit ra dhe teksa shtylla e demokracisë evropiane, Gjermania e festonte lirinë pikërisht duke u bashkuar, një shkencëtar e politolog i madh kosovar, profesori Ukshin Hoti në një intervistë të vitit 1992 thoshte se politikanët shqiptarë duke thelluar ndarjen dhe fraksionizmin mes veti përtej kufijve të demokracisë po u jepnin arsye atyre që dëshirojnë t’i shohin të ndarë si popull”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

I pari i ekzekutivit kosovar, tha se Ukshin Hoti kishte një kërkesë për politikanët shqiptarë.

“Ai kërkoi nga politikanët shqiptarë që të kenë si prioritet kryesor pozitën  ndërkombëtare të Kosovës e të Shqipërisë dhe jo pozitën vetjake. Jam i sigurt që shumica, madje krejt ju këtu pajtoheni vet me vete me mesazhin e Luigjit dhe me atë të Ukshinit”.

Tujte, Kurti tha se nesër do të shënohet 110 vjetori i shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë ndërsa, po në të njëjtën ditë do të shënohet edhe 25 vjetori i shpalljes publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Llaushë.

Veç tjerash, kryeministri i Kosovës theksoi se është krijuar Abetarja e përbashkët në mes këtyre dy vendeve si dhe po punohet për fjalorin e përbashkët enciklopedik.

Kurse, kryeministri shqiptar, Edi Rama tha se nuk beson që shqiptarët janë mirë në raport me vetën e tyre.

“Ndaj bindjen se shqiptarët nuk kanë qenë kurrë më mirë në raport me të huajt, por nuk besoj që sot shqiptarët janë më mirë në raport me vetvetën. Le t’i kthehemi sot jo vetëm pamjes së Kosovës të krahasuar më joshumë vite më pare”, tha Rama.

I pari i Qeverisë së Shqipërisë tha se Kosova nuk do të press a ka pritur për njohje përfundimtare dhe për tu përfshirë në çdo organizim ndërkombëtar.

“Askush nuk mund të thotë se ka imagjinuar që në 110 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë Kosova do të jetë aty ku është sot. Unë  besoj se edhe njohja e saj përfundimtare do të vijë më herët se sa vonë dhe se Kosova nuk do të pres kaq sa ka pritur qysh se ka shpallur pavarësinë për tu njohur përfundimisht, ndërkombëtarisht dhe për të qenë e pranishme në çdo instancë të të gjithë organizimit të përgjithshëm”.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama

Në fjalimin e tij, Rama përmend edhe dy ish-presidentët e Kosovës, Ibrahim Rugovën dhe Hashim Thaçin.

“Dy emra do të sjellë në vëmendje këtu pa të cilët nuk mund të kuptohet sot as ardhja deri në këtë ditë dhe as vazhdimësia përtej kësaj dite, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Të dyja këto natyrisht lidhen me Ibrahim Rugovën, një i munguar i madh sot pasi u nda nga jeta para kohe por me mision të kryer, dhe Hashim Thaçin, një tjetër i munguar sot në këtë sallë i cili është i ndarë prej nesh përkohësisht, në një mision që vazhdon”.

Kujtojmë se gjatë kësaj mbledhje, në fjalimin e tij kryekuvendari kosovar, Glauk Konjufca tha se Serbia është duke luftuar Kosovën nga brenda dhe jashtë.

“Bota sot është më e pasigurt se dje për shkak të sulmit të Rusisë mbi Ukrainën e cila e synon NATO-n dhe BE-në. I vetmi shtet në mes të Evropës që mbetet i lidhur me Rusinë sot është Serbia. Serbia nuk e fsheh aspak qëllimin e saj – destabilizimin e Kosovës dhe ndarjen faktike të shtetit tonë. Serbia na lufton brenda dhe jashtë, pa zgjedhur mjete, prej diplomacisë e deri te financimi dhe kontrollimi i grupeve kriminale brenda vendit tonë”.

Dy kryekuvendarët shqiptarë mbajnë fjalimet e tyre në mbledhjen e përbashkët – SHQIP.com

Konjufca tha se festa e 28 Nëntorit është e Shqipërisë po aq sa është edhe e Kosovës.

Ndërsa, kryekuvendarja e Shqipërisë, Lindita Nikolla tha se mënyra e të menduarit të shqiptarëve duhet të ndryshojë në bazë të realitetit.

Kryekuvendari i Kosovës, Glauk Konjufca dhe homologia e tij shqiptare, Lindita Nikolla

“Mënyra e të menduarit të shqiptareve duhet të ndryshojë në përputhje me realitetin e ri gjeopolitik dhe pozitën tonë në këtë realitet të ri. Në jo pak raste ne mendojmë në kushtet e barrierave dhe pengesave të dikurshme”.

Krahas kësaj, Nikolla tha se Kosova dhe Shqipëria duhet të punojnë që kufijtë shtetërorë në mes tyre dhe vendeve fqinje të shndërrohen vetëm në kufijë formal.

/Shqip.com