Nuhiu: Kam besim se do shohim futboll kualitativ

Dy nga pretendentët kryesorë për titullin e kampionit në Superligë, Drita dhe Ballkani do të takohen të shtunën, në kuadër të gjiros së 13-të.
Në prag të kësaj ndeshje, trajneri i “intelektualve”, Arduan Nuhiu ka thënë se skuadra e tij është tejet e motivuar dhe beson se do të zhvillohet futboll i bukur, shkruan Shqip.com.
“Nesër kemi një ndeshje të rëndësishme që duhet ta trajtojmë me përqendrim dhe vlerësim maksimal, sepse bëhet fjalë për një skuadër të mirë, që luan si grup mirë dhe ka individë cilësor. Nesër takohen dy skuadra me shumë cilësi brenda vetes dhe viteve të fundit kanë luftuar për kreun e tabelë. Kam besim se do shohim futboll kualitativ”, tha ai ndër të tjera.
Shpresa për një rezultat pozitiv për fansat e Dritës dha edhe futbollisti Ardit Tahiri.

Ai u shpreh se atmosfera në ekip – para derbit është fenomenale
“Ne e dijmë rëndësinë e ndeshjes së nesërme dhe poashtu nivelin e kundërshtarit. Jemi munduar dhe kemi punuar maksimalisht me përgatit ndeshjen për nesër. Atmosfera në ekip është mjaft e mirë dhe shpresoj të fitojmë”, tha Tahiri.
Në këtë përballje, gjilanasit do jenë pa sulmuesin, Arbron Muja që është i lënduar dhe Prince Balde, i cili mungon për shkak të kartonit të kuq.
Ky takim, nis në ora 13:00, kurse zhvillohet në Stadiumin e Qytetit në Suharekë.
Aktualisht, Drita është lidere në Superligë, me 22 pikë, ndërsa Ballkani gjendet në pozitën e dytë, me një pikë më pak./Shqip.com
