“Politikisht je autik nëse voton kënetën”, Edi Rama kërkon ndjesë: Kam admirim për fëmijët me aftësi të veçanta dhe…

“Të zgjedhësh midis BE-së dhe kënetës, kënetën, domethënë nuk je mirë… Politikisht je autik, nuk je mirë”. Kështu u shpreh kryeministri Edi Rama gjatë fushatës elektorale të 11 majit nga Gjirokastra.
Kjo deklaratë u shoqërua me reagime të shumta dhe bëri që në orët e vona të së martës, Edi Rama të postojë një video në rrjetet sociale ku kërkon ndjesë.
“Është vonë, por nuk mund të mos e ndaja dot këtë reflektim. Të gabosh është njerëzore, por të mos kërkosh ndjesë kur gabon nuk është burrërore. Krejt pa dashje sot kam cenuar fëmijët autik dhe me siguri kam lënduar prindër të tyre duke folur për autizëm politikë, shprehje që diku më ka mbetur në mendje sepse është përdorur shpesh edhe në literaturë politike e akademike e më doli sot krejt pa dashje. Ja që u desh të gaboja e pastaj të mësojë që prej vitesh konsiderohet e papërshtatshme dhe në fakt me plotë të drejtë. Prandaj kërkoj ndjesë dhe u garantoj se kam jo respekt, por admirim për ta dhe të gjithë prindërit e fëmijëve me aftësi të veçanta ose speciale, çka dhe më ka shtyrë të nxis dyfishimin e mbështetjes nga qeveria.
Ndërsa lehaqenieve që i kam nga pas dhe që u kapën pas fëmijëve autik si i mbyturi pas fijes së barit për të fituar ndonjë pikë në sytë atyre prindërve të nderuar, kjo do të jetë një motiv më shumë që ta shpenzoj çdo energji timen deri në 11 maj që t’u japim mësimin e merituar për të gjithë ato prapësi të tyre të panumërta në kurriz të këtij vendi dhe këtij populli”, tha Rama.
/Shqip.com