Kulturë

Nis edicioni i XXII i koncertit “Kosova Kamerfest”

Koncerti me vepra të kompozitorit, pianistit dhe dirigjentit Lodi Luka dhe orkestra e harqeve pranë Universitetit të Prishtinës – Universiteti i Arteve u prezantua në mbrëmjen e së mërkurës në edicionin XXII të Kosova Kamerfest, koncert që edhe bëri hapjen e këtij edicioni.

Në këtë koncert hapës u prezantuan edhe solistët Leufat Bucuku në violinë e Megi Rexhepi në klarinetë të cilët u paraqitën me programin: Living Spaces, Writing to Ludwig, La tenerezza del ruvido (Dhembshuria e vrazhdësisë), Aria per violine e orkestër, Spy Story, Rinascere (Rilindje) dhe Remembrance for clarinet and orchestra.

Ndërkohë, kompozitori, pianisti dhe dirigjenti Lodi Luka ka thënë për KultPlus se pjesëmarrja në këtë festival ishte një kënaqësi e madhe për të, pasi që është edhe paraqitja e parë me krijimtarinë e tij në këtë pjesë të atdheut.

“Kam mbetur shumë i kënaqur nga gjallëria e ambientit dhe entuziazmi i të rinjve që edhe pse ishin të impenjuar me provime dhe koncerte, dhanë maksimumin e tyre në realizimin e veprave të mija, që janë mjaftë impenjative”, ka thënë Luka.

Ai ka falënderuar nga zemra profesorët Sihana Badivuku dhe Blerim Grubi, të cilët kanë krijuar në Kosovë një shkollë të harqeve me kaq nivel të lartë, sipas tij, shkollë që mund të krahasohet me shkollat më të mira evropiane.

“Falënderoj gjithashtu edhe violonçelistin e mirënjohur Bledar Zajmi që na u bashkëngjitë me eksperiencën e tij në këtë rrugëtim. Publiku me nivel më dha gjithashtu shumë emocione dhe i mirëpriti me shumë duartrokitje veprat që i paraqitëm për herë të parë”, ka thënë Luka.

Ndërkohë, edicioni i XXII i Kosova Kamerfest që filloi mbrëmë do të zgjasë deri më 14 nëntor.

/Shqip.com