OP-ED Kolumne

Nga “Fali o Zot, se nuk dinë”, në “Zoti ju vraftë”!

Kuvendi i Kosovës
Kuvendi i Kosovës
Liman Gashi
Liman Gashi

Publikuar:

Saktësisht në orën 02:19 minuta pas mesnatës ka përfunduar seanca e fundit e Kuvendit të Kosovës, e thirrur për të diskutuar për zhvillimet e fundit në dialogun ndërmjet Kosovës e Serbisë.

Në shikim të parë, mund të dukej që gjendja është mëse alarmante, pasi në rrethana normale, nuk ka arsye për një seancë të orëve aq të vona. Në fakt, gjendja ndoshta nuk është alarmante, por as e tillë sa që deputetët, bashkë me popullin në përgjithësi të jenë krejtësisht të relaksuar.

Por, kur i dëgjonim fjalët që dilnin nga gojët e të përzgjedhurve tanë, “e harronim” seriozitetin e situatës dhe futeshim në botën e “humorit”.

Që Kuvendi i Kosovës është shndërruar në një skenë të dobët humori, në shumë raste edhe me doza banaliteti, tashmë është e qartë, por seanca e djeshme/sotme dëshmoi edhe njëherë nivelin e mjerë të atyre që e përfaqësojnë popullin e Kosovës.

Natyrisht, nuk mund t’i fusim të gjithë në një “thes”, sepse ka edhe deputetë me shumë kredibilitet, por që për fatin e keq të tyre, dhe tonin, mbrëmë, ashtu edhe sikur shumë herë më parë, ata dukeshin pakicë simbolike.

Shumica e fjalimeve ishin për gjynah. Të stërpërsëritura, pa argumente, pa fijen e shijes e herëherë edhe banale, ndërkohë që varësisht nga deputeti i cilës parti ishte duke folur, kampi tjetër zgërdhihej.

Kur flisnin deputetët e shumicës, fjalët ishin pothuaj të njëjta, me ndonjë përjashtim të vogël, dallimi ishte te “mjeshtëria” e deputetit për ta qëndisur pak më mirë fjalimin e tij. “Në vitin 2013 e në vitin 2015 ishit ju që e bëtë Asociacionin (Zajdenica po përmendet më rrallë) dhe ishim ne ata që e kundërshtuam fuqishëm”, ishin fjalët e gati secilit deputet të pozitës.

“Në vitin 2013 e 2015 ju e keni kallë Kosovën kundër Asociacionit, të cilit ju më me ëndje i thoshit Zajednicë, ndërsa sot po e jetësoni, madje me shumë zell”, thuhej nga opozita.

Pra, nëse eventualisht ka qëlluar dikush që përherë të parë e përcjell një seancë në Kuvendin e Kosovës, sigurisht që do ta ketë pasur vështirë të kuptojë të vërtetën, derisa zgjidhjen mund ta ketë parë të lehtë. Dhe, ajo do të ishte e thjeshtë. Në Kosovë duhet të udhëheqë opozita, sepse po del që pavarësisht kush është parti opozitare ka të drejtë dhe e kundërta.

“Fali o Zot, se nuk dinë” nuk vlen për politikanët tanë, sepse ata dinë, fatkeqësisht më shumë për mbrapsht.

“Zoti ju vraftë”, është e rëndë, por nga ajo që po bëjnë këtij populli dhe këtij vendi, u shkon më shumë për shtati.

“E ‘bajshit’ me shnet”!

/Shqip.com