Sport Shqiptar

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit licencon edhe gjashtë Federata tjera sportive, jo edhe FFK-në

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) ka njoftuar se janë licencuar edhe gjashtë federata tjera sportive.

Federatat sportive të licencuara janë: Federata Skitare, Federata e Tenisit, Federata e Boksit, Federata e Shenjëtarisë, Federata e Autosportit dhe Federata e Muaythait.

Federatat në fjalë u licencuan pas rekomandimit pozitiv që morën nga Komisioni për Licencim pranë MKRS-së.

Kujtojmë se Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) tash e një kohë është në proces të licencimit, por ende nuk është licencuar.

FFK-ja kishte aplikuar për licencim në MKRS, por Komisioni kishte gjetur disa mangësi dhe kishte kërkuar nga FFK-ja t’i korrigjojë ato dhe t’i dërgojë të përmirësuara në mënyrë që FFK-ja të licencohet duke i respektuar kriteret e licencimit.

MKRS më herët kishte kërkuar që të pezullohet Agim Ademi nga pozita e kryetarit të FFK-së, shkaku që akuzohet për vepër penale.

Pozita e Sekretarit të Përgjithshëm, që mbahet nga Taulant Hodaj si ushtrues i detyrës, është kushti tjetër i rëndësishëm në procesin e licencimit. Nga Komisioni kërkohet që FFK-ja të ketë një person në këtë pozitë, siç e kërkon edhe Statuti i Federatës.

Vërejtja tjetër lidhej me Komitetin Ekzekutiv të FFK-së, që aktualisht ka 11 anëtarët, kurse me Statut kërkohet të ketë 13 anëtarë.

Këshilli Mbikëqyrës i punës, që emërohet nga Kuvendi i Anëtarëve të organizatës sportive, është një kusht që gjithashtu i mungon FFK-së.

Komisioni nga MKRS-ja gjithashtu ka gjetur se Statuti i FFK-së nuk është tërësisht në harmoni mbi bazat ligjore me Kodin Etik dhe Disiplinor të FIFA-s e UEFA-s.

FFK-së i mungon rregullorja anti-doping, që gjithashtu nga Komisioni është kërkuar që t’ia sjellë atë.         

Sipas Komisionit në fjalë, FFK-së po i mungojnë edhe dëshmitë që i ka të themeluara dhe funksionale plotësisht strukturat qeverisëse, që përmbajnë vendime, procesverbale dhe kontrata, siç është procesverbali i Kuvendit të Fundit Zgjedhor, ku Agimi Ademi u rizgjodh sërish Kryetar.

/Shqip.com