Sport Shqiptar

Ministri Çeku: Sa i përket stadiumit – kemi hyrë në fazën e zgjidhjes së këtij ngërçi

Momente nga takimi

Derbi i Anamorës ndërmjet Dritës dhe Gjilanit do të zhvillohet sot – me fillim nga ora 15:00 në fushën ndihmëse – për shkak se stadiumi i qytetit është në gjendje jo të mirë.

Por, një lajm të mirë për tifozët e të dyja skuadrave e ka dhënë – ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku – pas takimit me kryetarin e kësaj komune, Alban Hyseni.

Çeku potencoi se “sa i përket stadiumit, tashmë kemi hyrë në fazën e zgjidhjes së këtij ngërçi afatgjatë, fatkeqësisht. Kemi filluar fazën e hartimit të projektit për fazën përfundimtare të ndërtimit të stadiumit të qytetit, i cili përfundimisht na e nxjerr koston, rrugën dhe na tregon kohën që na duhet për ta realizuar përfundimisht këtë investim shumë të rëndësishëm, jo vetëm për Gjilanin, sepse një stadium i këtillë i duhet edhe Kosovës, sidomos për garat ndërkombëtare”.

Pamje nga takimi

Teksa, shtoi po ashtu “është interes kombëtar që ta kemi të përfunduar këtë stadium në kohën më optimale me standardet e përmbushura ndërkombëtare. Ky projekt nuk ka ekzistuar asnjëherë sepse është punuar me faza më herët dhe asnjëherë nuk ka pasur projekt përfundimtar. Në momentin që e kemi projektin profesional me të gjitha standardet, do të kalojmë në kontraktimin e punimeve dhe do të bëjmë më të mirën që brenda kohës më optimale, në bashkëpunim me kryetarin e Komunës, të vazhdojmë ta trajtojmë me shumë prioritet përfundimin e punimeve në stadiumin e Gjilanit”.

Punimet në këtë stadium – kishin nisur në vitin 2017, por akoma janë larg nga përfundimi.

Deri në ditën e fundit të punimeve – të dyja skuadrat do t’i zhvillojnë ndeshjet – në fushën ndihmëse – me bari artificial.

Pamje nga takimi

I vetmi stadium në Kosovës që i plotëson standartet e kërkuara nga UEFA dhe FIFA mbetet “Fadil Vokrri” – në Prishtinë.

Të gjitha skuadrat që marrin pjesë në garat evropiane – duhet të luajnë në kryeqytet .