Ekonomi

MFPT: Pronat do të tatimohen 100 për qind, nuk ka më zbritje

Nga reagimet e shumta për rritjen e tatimit në pronë, ka reaguar edhe Ministria e Financave, Punës dhe Transferëve.

Përmes një njoftimi për media, thuhet se në vitin 2023 nuk zbatohet zbritja e përgjithshme për tokat dhe se ato do të tatimohen 100 për qind.

“Vlen të theksohet se në vitin tatimor 2023 nuk zbatohet zbritja e përgjithshme për tokat, pasi që tanimë kemi hyrë në vitin e 5-të të tatimimit të tokave. Nga ky vit, të gjitha tokat rezidenciale, komerciale, industriale dhe pyjore tatimohen me 100% të vlerës së vlerësuar, për dallim nga viti i kaluar ku është zbatuar zbritja e përgjithshme prej 20%, ku tokat janë tatimuar me 80% të vlerës së vlerësuar”.

Në njoftim thuhet se komuna obligohet që në bazë të vlerësimit të pronave të palujtshme të përcaktojë edhe shkallën e tatimit.

“Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve njofton qytetarët se tatimi në pronë është tatim i cili mblidhet nga komunat dhe përbën njërin nga burimet kryesore të të hyrave vetanake për komunat.  MFPT, bazuar në Ligjin për Tatim në Pronë, obligohet që në baza të rregullta të bëjë vlerësimin e pronave të paluajtshme, ndërsa shkallën e tatimit e përcaktojnë vetë komunat.  Departamenti i Tatimit në Pronë, në kuadër të MFPT, përgjatë vitit 2022 ka kryer vlerësimin e përgjithshëm të tokave dhe objekteve rezidenciale, si dhe ka përpiluar raporte të vlerësimit për prona rezidenciale më datë 31.10.2022, për të cilat janë njoftuar të gjitha Komunat”, thuhet në njoftimin e MFPT-së.

Tutje, thuhet se vlerësimi i përgjithshëm kryhet duke u bazuar në vlerën e tregut.

“Përgjatë vlerësimit të pronave rezidenciale, Departamenti i Tatimit në Pronë ka bashkëpunuar ngushtë me komunat për të përcaktuar çmimin për m2 për objekte dhe toka.  Vlerësimi i përgjithshëm kryhet duke u bazuar në vlerën e tregut me ç’rast Departamenti i Tatimit në Pronë përdor të dhënat si në vijim: kontrata të shitblerjeve për prona rezidenciale (jo më të vjetra se 3 vjet); intervista me agjentë të shitjes së pronave të paluajtshme; anketime të pronarëve të pronave; intervista me zyrtarë bankash në lidhje me vlerat e pronave që përdoren si kolateral; vlera të pronave që janë shpronësuar; të dhëna të qirave; dhe të dhëna nga kompani të ndërtimit”.

Vlen të theksohet se me rritjen e normës tatimore ka ardhur edhe reagimi nga ana e deputetes së LDK-së, Hykmete Bajrami.

Lexo edhe:
Rritja e çmimit të tatimit në pronë, reagon Bajrami

“Në kohën e krizës ekonomike e sociale nëpër të cilën po kalon vendi, qytetarëve u janë rritë vetëm çmimet, nuk ka rritje të pagave, nuk ka rritje të pensioneve, nuk ka rritje e të të hyrave –  janë rritë vetëm çmimet”, ka thënë Bajrami

Bajrami më tutje i ka dhënë disa rekomandime Qeverisë lidhur me këtë situatë.

“1. Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve me një vendim të pezulloj rivlerësimin e fundit të patundshmërive në vendin tonë, sepse është bërë në kushte të një inflacioni enrom dhe 2. Të procedoj sa me parë në Kuvend Ligjin e ri për Tatim në Pronë, i cili është draftu nga grupi punues që nga tetori 2022, me të cilin duhet të largohet pragu i poshtëm 0.15% dhe të mbetet vetëm pragu i lartë, në mënyrë që të ju lejohet komunave të bëjnë përshtatjen e normave të tatimit sipas rrethanave”, ka shkruar Bajrami.

Lexo edhe:
Rritja e çmimit të tatimit në pronë, reagon Komuna e Prishtinës

Kurse, në njoftimin e Komunës së Prishtinës thuhet se kjo rritje nuk duhet ti atribuohet komunës por Ministrisë së Financave.

/Shqip.com