Lajme

Pas publikimeve të Shqip.com, Driton Muharremi jep dorëheqje nga KGJK-ja

Driton Muharremi, gjykatësi i krimeve të rënda në Gjykatën e Apelit - Prishtinë.

Dritoni Muharremi ka dhënë dorëheqje nga pozita e anëtarit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, pas publikimit të audio-incizimeve nga Shqip.com.

Në letrën që Muharremi i ka dërguar kryesuesit të KGJK-së, i njëjti është shpehur se këto audio-incizime “janë të orkestruara nga grupe interesi”, raporton Betimi për Drejtësi.

“Jeni dëshmitarë te disa incizimeve jo ligjore te publikuara këto dite nga një portal në Kosove ku une dëgjohem duke biseduar me një person! Edhe pse konsideroj se këto incizime janë keqinterpretuar, nuk kane asgjë te bëjnë me atë qe dikush pretendon te duken dhe jane komplet te orkestruara nga grupe interesi, se nuk kane te bejne fare as me punen time si gjyqtarë e as i anetare i KGJK-se ( pasi qe ne ate kohe nuk kam qene anetare i KGJK-se)  per cka besoj qe  kjo do te vertetohet ne ditet ne vazhdim, jap doreheqje te parevokueshme nga pozita e anetarit te KGJK”, thuhet në letrën e dorëheqjes së Muharremit.

Ai më tej është shprehur se dorëheqja e tij po bëhet “me të vetmin qëllim që institucioni i KGJK-së të mbetet i pakontestuar jo vetëm nga publiku, por edhe nga grupet e interesit që kanë tendenca të ndërhyrjes në sistemin gjyqësor”.

Në disa biseda telefonike të siguruara nga Shqip.com, Muharremi del të jetë i lidhur me ish-Drejtorin e Inteligjencës Financiare të Kosovës, Dardan Nuhiu dhe përmes tij me një person që kërkon t’i lirohet një veturë pasi që i ishte konfiskuar, e që sipas tij, lirimin po e bllokonte krye-prokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi.

Klikoni në rubrikën N’shënjestër, për të shikuar të gjitha publikimet në Dosjen “Inteligjenca e Zhvatjes” në mënyrë kronologjike./Shqip.com