Lajme

Manaj flet për audio-incizimet e Shqip.com: Askush s’është mbi ligjin, as Kryeprokurori

Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Shkëmb Manaj, flet në intervistë televizive për audio-incizimet e publikuara nga Shqip.com

Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Shkëmb Manaj, është deklaruar lidhur me audio-incizimet e publikuara ditë më parë nga Gazeta Online Shqip.com, duke thënë se as Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, por as anëtarët e Këshillit Gjyqësor dhe të atij Prokurorial të Kosovës nuk janë mbi ligjin.

Kështu është shprehur ai derisa ka paraqitur qëndrimin e LDK-së sa i përket këtyre publikimeve, ku të involvuar përveç Lumezit ishin edhe ish-anëtari i KGJK-së njëherësh edhe gjyqëtar, Driton Muharremi, prokurorja e krimeve të rënda në Prishtinë, Shemsije Asllani, e ish-drejtori i Njësisë së Inteligjencës Financiare, Dardan Nuhiu.

Lexo edhe:
Pas publikimeve të Shqip.com, flet kryeprokurori Lumezi: Po kam biseduar me personin, ka provuar të na shantazhojë

Manaj thotë se sa i përket çështjes së këtyre audio-incizimeve, Prokuroria dhe Policia duhet t’i trajtojnë me seriozitet dhe në mënyrë të pavarur.

“Ne kemi qenë duke e përcjellur gjendjen me përgjimet dhe në bazë të informatave që kemi ne, nuk ka përfunduar kjo situatë dhe po shohim se si është gjendja dhe cilët persona janë të involvuar dhe konsiderojmë që kjo çështje është e institucioneve të drejtësisë, edhe çështja e përgjimeve, duhet të trajtohen nga organet kompetente, nga policia dhe prokuroria, duhet të merren të gjitha ato përgjime për të parë nëse personat e involvuar përbëjnë apo nuk përbëjnë vepër penale dhe pastaj të merret vendim në pajtim me ligjin dhe kushtetutën për secilin person që konsiderohet që ka kryer vepër penale”, ka thënë ai në “Interaktiv” të KTV-së.

“Bisedat të cilat janë dëgjuar normalisht që nuk janë të mira dhe duhet të trajtohet secili përgjim dhe mendojmë që secili autoritet publik duhet të jetë i kujdesshëm në këto komunikime. Ne kemi reaguar sepse konsiderojmë që institucionet e drejtësisë duhet të jenë institucione të pavarura dhe se nuk duhet të kenë presion politik. Për çështjen e përgjimeve ne kërkojmë nga prokuroria dhe policia e shtetit që t’i trajtojnë me seriozitet dhe në mënyrë të pavarur”, shtoi ai.

“Askush nuk është mbi ligjin, as kryeprokurori, as anëtarët e Këshillit Gjyqësor dhe atij Prokurorial dhe asnjë përfaqësues tjetër i institucioneve në Republikën e Kosovës, ky është qëndrimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës”, tha më tej Manaj.

Ai më tej thotë se kërkojnë që këto raste të trajtohen deri në fund.

Klikoni në rubrikën N’shënjestër, për të shikuar të gjitha publikimet në Dosjen “Inteligjenca e Zhvatjes” në mënyrë kronologjike. /Shqip.com